Protesta në Sllovaki kundër raporteve më të ngushta me Rusinë

Protesta në Sllovaki kundër raporteve më të ngushta me Rusinë

Protestuesit u mblodhën në Bratisllavë dhe qytete të tjera të Sllovakisë më 10 janar për të protestuar kundër përpjekjeve të Qeverisë për të kërkuar raporte më të ngushta me Rusinë, pavarësisht se Moska ka nisur më 2022 pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Kryeministri nacionalist sllovak, Robert Fico, është një nga aleatët e pakët që Kremlini ka brenda Bashkimit Evropian, i cili ka afruar Bratisllavën me Moskën që kur është rikthyer në pushtet më 2023.

Ai së fundi ka udhëtuar për në Moskë për të siguruar furnizime me gaz për konsum në shtetin e tij, pasi Ukraina vendosi që të ndalte rrjedhën e gazit rus përmes territorit të saj për në Evropë.

Mijëra protestuan në qendër të Bratisllavës duke brohoritur “Ne jemi Evropë”, “Turpërohemi nga Fico” dhe “Nuk do të heqim dorë nga Sllovakia”.

Nisma për Paqe në Ukrainë shkroi në Facebook se ka organizuar tubimet “Sllovakia është Evropë” për të treguar se Sllovakia “nuk është Rusi, por një shtet sovran e demokratik”.

Mediat kanë raportuar se protesta janë mbajtur në dhjetëra qytete sllovake.

Deri në ndarjen paqësore më 1993, Sllovakia dhe Republika Çeke ishin pjesë e Çekosllovakisë, që kishte qëndruar katër dekada nën një qeveri totalitare komuniste të udhëhequr nga Moska në periudhën 1948-1989.

Fico tha në Parlament të premten se presidenti rus, Vladimir Putin, të cilin ai e ka takuar, ka garantuar furnizime me gaz për Sllovakinë. Ai e ka përshkruar Moskën si një furnizuese të besueshme.

Evropa ende furnizohet me gaz rus përmes gazsjellësit Rrjedha Turke, por edhe furnizohet me gaz të lëngshëm natyror që transportohet përmes anijeve.

Fico ndërpreu ndihmën ushtarake për Ukrainën kur mori udhëheqjen e Qeverisë në tetor të vitit 2023.

Në kundërpërgjigje për vendimin e Ukrainës për të ndërprerë furnizimet me gaz, Fico ka kërcënuar se do të ndërpresë furnizimet me energji elektrike dhe ndihmën humanitare për Ukrainën.

Ai tha se Sllovakia mund të zvogëlojë ndihmën për refugjatët ukrainas të luftës që janë në këtë shtet.

Fico tha se Sllovakia është e gatshme të jetë mikpritëse e bisedimeve të paqes me Rusinë dhe Ukrainë. Kievi tha se një gjë e tillë do t’i shkonte në favor Putinit.

Udhëheqësi rus ka thënë se për të është e pranueshme që Sllovakia, shtet anëtari i NATO-s, të bëhet një “platformë” për dialog për t’i dhënë fund konfliktit.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka thënë se ai do t’i japë fund shpejt luftës pasi të marrë detyrën më 20 janar./ REL

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës