Ambasada Amerikane në një deklaratë për Report Tv në lidhje me protestat që po zhvillohen prej 4 ditësh në Tiranë, shprehet se qytetarët të protestojnë, por në mënyrë paqësore.

Sipas Ambasadës së SHBA-së, trazirat e dhunshme nuk kanë vend në angazhimin qytetar.

“Nxisim qytetarët që marrin pjesë në protestë të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe paqësore. Trazirat e dhunshme nuk kanë vend në angazhimin qytetar”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.

Pas katër ditësh dhune, shkatërrimesh dhe kaosi në rrugët e Tiranës, protesta shënoi mbrëmjen e kësaj të premteje një moment të pazakontë paqeje. Protestuesit kërkuan ‘paqe’ duke shtrënguar duart me policët.

Protestuesit u dhanë ujë efektivëve, ngritën duart lart duke thirrur “Jemi në paqe, policia është me ne”, ndërsa disa prej tyre u ulën në bulevard dhe kënduan himnin kombëtar. 

Ndërsa u rikthyen sërish te Kryeministria, protestuesit qëndruan përreth gjysmë ore dhe më pas nisen që të shpërndahen.