Protestat që po mbahen prej më shumë se tri javësh nuk janë një produkt pa kokë. Pas tyre qëndron një grup organizator që u jep formë atyre. Arben Kola, i cili udhëheq marshimin nga sheshi “Skënderbej” deri para kryeministrisë tha sot se ai vetë është mes nismëtarëve, ndërsa organizatorët janë të tjerë, të cilët siç paralajmëroi, do të dalin me një deklaratë zyrtare në momentin e duhur. Por deri atëherë, duket se do të vijojnë të veprojnë në anonimitet.
***
Çdo mbrëmje, në sheshin para kryeministrisë, përveç folësve të rastësishëm janë disa figura që shfaqen në mënyrë të përsëritur në podium.
E megjithatë, pavarësisht se protesta ka hyrë në javën e saj të katërt, askush deri më tani nuk di se cilët janë organizatorët. Ndërsa këta të fundit, ende nuk shfaqen, të paktën me emër.
Arben Kola, është i pari që çdo ditë kapet nga kamerat, ndërsa organizon grumbullimin në sheshin Skënderbej, për t’u vënë më pas në krye të marshimit drejt kryeministrisë. Por ai përsëriti dhe sot se nuk është në grupin e organizatorëve
“Këtu te sheshi unë kam marrë përsipër pjesën e marshimit. Unë jam një ndër nismëtarët por nuk jam organizatori”, tha Arben Kola.
Por natyrisht veprimet e tij janë të koordinuara me organizatorët, dhe Kola është i qartë se kush janë
“Grupi organizator kur të vijë koha do dal me deklaratë zyrtare. Deklaratat zyrtare lexohen gjithmonë para kryeministrisë dhe jo këtu në shesh”, tha Arben Kola.
Mbetet e paqartë se përse pas gjithë kësaj kohe, organizatorët nuk shfaqen. Një veprim që do t’i jepte ndoshta dhe një formë të strukturuar një proteste që nuk do të ngelej vetëm në kuadrin e kërkesave politike, por do të transformohej dhe në një ofertë politike.
Por sipas Kolës, do të duhet të pritet ende.
“Keni durim. Ju e duruat këtë sistem politik 35 vjeçar. Ju e duruat këtë qeveri për më shumë se 4600 ditë dhe doni që gjithçka të zgjidhet në 22 ditë”, tha Arben Kola.
Komentet e sotme të Kolës në postimin e tij në rrjetet sociale pasuan ato të një dite më parë kur ai foli për grupe të infiltruara në protestë, greke e serbe, apo dhe linja fetare nga Turqia.
Deklarata të cilat në fakt duket se shkuan në linjë me qëndrimet e kryeministrit, i cili ka folur për sponsorë të jashtëm e të brendshëm të protestës.
Por sot Kola bëri një hap pas, duke thënë se komentet e tij ishin keqinterpretuar, dhe se grupet që ai kishte përmendur, në fakt janë të sponsorizuara, sipas tij, nga miqtë e kryeministrit për të përçarë protestën.
E megjithatë edhe lidhur me këto deklarata, ai ka shpjeguar që janë personale dhe jo një qëndrim i organizatorëve, që mbeten anonim.
“Kur unë flas si Arben, unë flas në emrin tim”, tha Arben Kola.
Komente










Capacul, kur ben dhe ti si ps qe luan me fjalet.
Përgjigju