TIRANË- 'Paqja' e vendosur prej disa orësh para kryeministrisë është përshkuar nga molotovët e hedhur drejt efektivëve të rreshtuar në krah të godinës. Sulmi pasoi ardhjen e protestuesve të maskuar në bulevard. Policia ndërhyri pa vonesë me gaz lotsjellës e ujë duke penguar përparimin e protestuesve drejt kordonit të sigurisë dhe duke i shpërndarë. 

Kjo është dita e tetë e protestave në Tiranë e cila, ashtu si të tjerat, është shoqëruar me dhune dhe përplasje me policinë. Protestuesit e maskuar sulmuan me gurë Ministrinë e Arsimit dhe efektivët, të cilët u përgjigjën me ujë e gaz lotsjellës. Më pas, protestuesit u rikthyen në bulevard, pranë Kryeministrisë, ku gjatë marshimit hodhën fishekzjarrë drejt policisë, shkatërruan një stacion urbani dhe e zhvendosën në mes të sheshit, së bashku me një kosh basketbolli.

Ndryshe nga shtatë ditët e mëparshme, protesta e sotme nisi pa incidente. Fillimisht, protestuesit u mblodhën para Kryeministrisë, ku iu bashkuan edhe një grupi pedagogësh që kishin dalë në protestë. Më pas, protestuesit nisën marshimin drejt Rrugës së Durrësit, për t'u grumbulluar para Ministrisë së Arsimit, ndërsa pedagogët u larguan dhe nuk iu bashkuan marshimit.

Në orën 13:30, protestuesit u mblodhën para Ministrisë së Arsimit. Në mesin e tyre u shfaqën sërish persona të maskuar, të cilët nisën të qëllonin me gurë drejt godinës së ministrisë dhe efektivëve të policisë.

Pas përplasjeve te Ministria e Arsimit, protestuesit u zhvendosën sërish drejt qendrës së Tiranës, duke u rikthyer në bulevard, pranë Kryeministrisë. Aty rifilluan sulmet me gurë e fishekzjarrë ndaj efektivëve, ndërsa u dëmtua edhe stacioni i urbanit dhe u zhvendos një kosh basketbolli në mes të bulevardit.

Lajmi në përditësim.....

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:41
Molotov në dorë, protestuesi e tregon me krenari

1792514737_protestatkunderqeverise.jpg

Një protestues i maskuar mban një molotov në dorë, në mes të sheshit “Skënderbej” që momentalisht ka një grup të konsiderueshëm protestuesish, përfshirë me maska. Veprimin e tij e pasuan edhe të maskuar të tjerë.

Ora 18:32
Protestuesit vendosen në sheshin ‘Skënderbej’, efektivët marshojnë

1792513859_sheshiskenderbejprotestatkunderqeverise.jpg

Një grup protestuesish janë vendosur në sheshin “Skënderbej”, pas shpërndarjes me ujë e gaz lotsjellës nga policia. Efektivët janë gjithashtu në ndjekje të tyre, teksa kanë vendosur edhe kordon sigurie në afërsi të Kuvendit.

Një protestuese është përplasur edhe verbalisht me policinë. Gjithashtu ka pasur edhe hedhje kapsollësh nga protestuesit.

Ora 17:53
Protestuesit e maskuar rikthehen në bulevard, policia në gatishmëri! Hidhet molotov drejt tyre (VIDEO)

Protestuesit e maskuar janë rikthyer në bulevard, ku deri më tani, situata ka qenë e qetë. Nga ana e hyrjes së kryeministrisë, efektivët dhe një autobot uji janë në gatishmëri.

Në krah të kryeministrisë, sapo është hedhur edhe molotov, ndërsa vijojnë të dëgjohen të tjerë. Policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës.

Ora 16:45
Protestuesit ia marrin valles në bulevard (VIDEO)

 

Për herë të dytë gjatë ditës së sotme, protestuesit janë vendosur në bulevard, përpara kryeministrisë.

Deri më tani nuk regjistrohet ndonjë situatë, ndërsa protestuesit ia kanë marrë valles. Policia ka vendosur një kordon sigurie.

Ora 16:39
Degjeneron protesta/ Mes turmës ku ka edhe të mitur, protestuesit shfaqin një organ gjenital dhe ironizojnë shpërblimin e policëve (VIDEO)

Protestuesit janë përpjekur të ironizojnë vendimin e qeverisë Rama për të shpërblyer policët që janë në vijën e parë të përballjes me protestat e dhunshme. Pas kartëmonedhave false prej 2500 eurosh, ironia degjeneroi, duke shfaqur në mes të turmës ku ka edhe të mitur, një lodër seksi në formën e organit gjenital mashkullor.

Ora 16:23
Tensione para Kryeministrisë, protestuesja sulmon kameramanin që po filmonte! Përplasje edhe me gazetarët (VIDEO)

 

As gazetarët dhe kameramanët që po ndjekin protestën para Kryeministrisë nuk u kanë shpëtuar sulmeve gjatë ditës së sotme. Një protestuese, e njohur për shpërthimet e saj në TikTok, ka sulmuar sot fizikisht dhe verbalisht përfaqësues të medias dhe kameramanë të cilët po filmonin zhvillimet në ditën e tetë të protestës që ka tronditur kryeqytetin shqiptar. 

Momenti është regjistruar në video, ku shihet incidenti i sikletshëm mes protestueses dhe punonjësve të medias që ndodheshin në terren për të pasqyruar protestën. Pas të sharave, ajo iu vërsulet kameramanëve dhe përpiqet të shkatërrojë njërën prej kamerave. Menjëherë aty mblidhen më shumë njerëz për të shuar tensionet 

Ngjarja shënon një tjetër episod tensioni ku në shënjestër janë punonjës të medias. 

Ora 16:04
Pas sulmit te Ministria e Arsimit, protestuesit rikthehen te bulevardi te Kryeministria! Sulm me gurë e fishekzjarrë efektivëve (VIDEO)

 

Protestuesit kanë shkatërruar një stacion urbani në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të cilin e kanë tërhequr zvarrë dhe e kanë vendosur në mes të rrugës, së bashku me një kosh basketbolli që ndodhej përballë Piramidës.

Ora 15:46
Me daulle e qeleshe, protestuesi shoqëron turmën (VIDEO)

 

Një protestues me qeleshe në kokë e daulle në duar, i është bashkuar turmës, të cilën e shoqëron gjithë kohës me ritmin e instrumentit muzikor.

Ora 15:25
Protestuesit sulm me gurë e fishekzjarrë drejt efektivëve, policia i shpërndan me ujë e gaz lotsjellës (VIDEO)

 

Protestuesit kanë nisur sulmet me gurë e fishekzjarrë në drejtim të forcave të policisë. Këta të fundit po reagojnë me ujë e gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Ora 14:34
Protestuesit vendosin pankarta kundër qeverisë pranë Ministrisë së Arsimit: Drejtësia të veprojë! (VIDEO)

 

Protestuesit e mbledhur pranë Ministrisë së Arsimit kanë vendosur pankarta me mesazhe kundër qeverisë.

Në shkrimet e tyre, ata akuzojnë qeverinë për dhunë, korrupsion dhe kërcënim ndaj qytetarëve, duke përmendur edhe emërimet në Policinë e Shtetit.

Në njëren prej tyre shkruhet: Si mund të kemi drejtësi kur Belinda Balluku emëron Skënder Hitaj si drejtor policie dhe partia shtet dhunon, vjedh e kërcënon qytetarët?! Drejtësia të veprojë!!!

Në pankartën tjetër lexon:

Krimi + droga kanë vetëm një emër: Edvin Kristaq Rama

Ora 14:14
Protestuesit iu hedhin policëve kroasantë të paketuar! Pamje nga protesta tek Ministria e Arsimit (VIDEO)

Një grup protestuesish janë mbledhur tek Ministria e Arsimit për protestë. Aty janë angazhuar edhe dhjetëra forca policie për ruajtjen e rendit. Në përballjen verbale me policët, protestuesit u hodhën atyre dhjetëra kroasantë të paketuar. 

 

Ora 14:01
Protestat e dhunshme në Tiranë, Ministria e Arsimit dhe ajo e Ekonomisë 'blindojnë' dritaret me panele metalike (VIDEO)

 

Godinat e Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Ekonomisë në Tiranë janë me të gjitha dritaret të mbuluara nga panele metalike. Strukturat mbrojtëse mbulojnë plotësisht xhamat e të dyja institucioneve, duke u dhënë ndërtesave pamjen e godinave të blinduara. Pamjet vijnë në një kohë kur kryeqyteti po përballet prej ditësh me protesta, gjatë të cilave janë shënuar edhe episode dhune dhe sulme ndaj institucioneve. Panelet metalike shërbejnë si pengesë fizike për të mbrojtur dritaret nga goditjet dhe dëmtimet. Të dyja institucionet këto shtatë ditë kanë qenë objekt i sulmeve të dhunshme dhe zjarreve.