Katër ditë më parë Shkupi u vesh kuqezi nga flamujt që studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut mbanin në duar, teksa kërkonin të drejtën e mbajtjes së provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe. Në mbështetje të tyre u nisën edhe disa studentë nga Shqipëria të cilët gjatë rrugës u përballën me disa incidente.

Ardit Kola një nga studentët e pranishëm rrëfeu në ‘Studio Live’ se pala maqedonase i kontrolloi dy herë dhe i lanë që të vazhdonin rrugën vetëm pas një orë e gjysmë. Më tej i riu thotë se teksa u nisën ata i shoqëronte një makinë policie dhe më pas para se të hynin në Shkup një makinë civile u tha se do të ishin ata shoqëruesit. Të veshur si doganierë, i riu thotë se ata ishin të armatosur dhe njërin prej studentëve e qëlluan, teksa kishte edhe ofendime.

“U nisëm rreth orës 10 të paradites. Kaluam nga dogana e Bllatës. Nga pala maqedonase na kontrolluan dy herë dokumentet. Ishim 41 studentë, autobusit i thanë që do të kthehej pas. Na lejuan pas një orë e gjysmë. Pasi kaluam Dibrën e Madhe na ndaloi një patrullë policie dhe na thanë që do të shoqërojmë ne. Ecnim disa kilometra dhe ndërroheshin patrullat.

Para se të hynim në Shkup na shfaqet një makinë civile na morën dokumentet e autobusit dhe na thanë që do na shoqëronin për në protestë. Ndaluam autobusin në mes të rrugës pasi pamë se po iknim në drejtim të kundërt. Ata ishin të veshur si doganierë dhe na thanë se kemi dyshim te ju se jeni kontrabandistë dhe do t’ju bëjmë kontroll një për një dhe autobusi do t’i nënshtrohet skanerit. Kishim presion të jashtëzakonshëm, njërin e qëlluan, e dhunuan fizikisht. Ndërkohë një tjetër e ofenduan. Ishin  persona të armatosur”, tha studenti teksa shtoi se ‘në fillim në të ndalesës dukej sikur ata po na garantonin sigurinë tonë, por në fakt ata po na çonin drejt Serbisë’.

Ndërkohë, Erisa Lipoveci studente gjithashtu thotë se ata do t’i shkojnë deri në fund kauzës për të mbrojtur gjuhën shqipe. Ajo shton se nuk kërkojnë përçarje por vetëm drejtësi.

"I përgëzoj çdo studentë që i shkuan deri në fund të kauzë së tyre. Urojmë shumë që protesta në Tiranë të sjellë  gjëra pozitive, pasi nuk do e lëmë me kaq. Nuk ka mënyrë më të bukur që kjo lëvizje të vijë përmes zërit rinor. Ne nuk kërkojmë përçarje, por vetëm të drejtat, pa përfshirë politikën. Ne po mbrojmë gjuhën tonë shqipe. Në protestë do të na bashkohen të rinj nga Kosova dhe Maqedonia”, tha ajo.

Ardit Kola në fund të intervistës shtoi se protesta në Tiranë do të jetë paqësore dhe nuk do të ketë thirrje raciste.

“Do të jetë një protestë paqësore. Nuk do të ketë thirrje raciste. Do të mblidhemi në sheshin Skënderbej dhe më pas do të marshojmë drejt ambasadës maqedonase”, nënvizoi ai.