Njëri nga organizatorët e protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Mevlan Ademi, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook, duke thënë se disa shqiptarë janë ndaluar në një pikë kufitare dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.
Ademi paralajmëroi se nëse nuk ka reagim të shpejtë nga institucionet, organizatorët do të marshojnë drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Lëshoni menjëherë vëllezërit tanë shqiptarë të ndaluar në pikën kufitare! Kërkojmë veprim të menjëhershëm dhe lejim të hyrjes së tyre pa vonesë. Nëse nuk ka ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhje urgjente, ne do të jemi të detyruar të marshojmë drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme!”, ka shkruar Ademi.
Në reagimin e tij nuk është specifikuar se në cilën pikë kufitare dyshohet se janë ndaluar personat në fjalë. Deri tani nuk ka asnjë informacion zyrtar nga autoritetet për pretendimet e publikuara nga Ademi apo për arsyet e ndalimit të mundshëm.
Protesta e sotme vjen pas demonstratës së 6 prillit, kur mijëra qytetarë dhe studentë protestuan në Shkup duke kërkuar respektimin e Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në shqip.
Lajmi kryesor:
Protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, qindra të rinj me flamujt kuq e zi mblidhen në Shkup: Të gjithë njëzëri për gjuhën shqipe







