Presidenti Ilir Meta ka reaguar pasi ka përfunduar dita e 3-të e protestës për vrasjen e 25 vjeçarit Klodjan Rasha, duke dënuar dhunën që sipas tij është ushtruar ndaj gazetarëve nga policia.

Meta shkruan se është dhunuar gazetari Qamil Xhani, pranë ambienteve të redaksisë së tij, dhe kjo sipas tij është organizuar nga qeveria dhe policia.

"Dënoj me forcë përsëritjen e rasteve të dhunës së shëmtuar dhe të dënueshme, të ushtruar ndaj gazetarëve, nga ana e efektivëve të caktuar të Policisë së Shtetit.  Dhunimi i kryeredaktorit të "Koha Jonë", z.Qamil Xhani, pranë ambienteve të redaksisë dhe ndalimi i tij për disa orë, është tregues se dhuna ndaj përfaqësuesve të medias dhe shoqërisë civile është e frymëzuar dhe e organizuar në nivelet më të larta të Qeverisë dhe Policisë", shkruan Meta.

Ai i ka bërë thirrje prokurorisë që të reagojë, si dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare.

"Përsëris thirrjen publike dhe e nxis Prokurorinë të reagojë menjëherë dhe të vendosë para përgjegjësisë ligjore, pa më të voglën zvarritje, frymëzuesit dhe autorët e dhunës ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias. I ftoj të gjitha organizatat ndërkombëtare të gazetarëve të reagojnë në mbrojtje të kolegëve të tyre në Shqipëri. I garantoj të gjithë gazetarët e lirë dhe të pavarur se, nuk do të lejoj kurrë instalimin e modelit lukashenko në shqipëri", shton presidenti.

Dita e 3 e protestës nisi këtë të premte rreth orës 18:00 me tensione, ku një grup të rinjsh sapo panë efektivët e policisë që po zbrisnin në terren nisën të qëllonin me gurë e shashka në drejtim të tyre, megjithatë policia u kundërpërgjigj me autobotet me ujë e gaz-lotsjellës. Në ndryshim nga 2 herët e tjera, pasojat e kësaj proteste të ishin më të vogla. Megjithatë, pavarësisht trysnisë së madhe të policisë, protestuesit arritën të dëmtonin përsëri objekte publike si semaforë si dhe dogjën disa kosha mbeturinash.