Petro Koçi ka komentuar përmes një postimi në rrjetet sociale arkivolin që protestuesit ‘i dhuruan’ kryeministrit Rama në protestën e 4 qershorit që Sali Berishës i duket "amnisti morale" për veprimin e tij 28 vite më parë. Për ish-deputetin, motorin politik të protestës e mbajnë ithtarët e Berishës.
Koçi shton se është qesharak edhe pretendimi se qeveria sponsorizon dhunën. Ajo që ish-deputeti nënvizon, është protesta e vërtetë jopartiake që kërkon përmirësim, së cilës qeveria duhet t’i japë të drejtë.
“Berisha i lumtur që përfundimisht nuk mbeti i vetmi që dërgoi një arkivol përballë kryeministrisë. I duket amnisti morale fakti që arkivoli u kthye për së dyti në mjet të luftës politike nga një lëvizje "qytetare".
Edhe pse është një lëvizje, motorin politik të së cilës e komandojnë ithtarët e tij. Bukuria e protestës u shëmtua dhe shpresa se ajo do të impononte ndryshimet e nevojshme në sistemin e demokracisë tonë po shuhen. Qesharak edhe pretendimi që dhuna sponsorizohet nga qeveria ndërsa dhunuesit konsiderohen si heronj. O njëra, o tjetra dreqi ta hajë.
Çudia tjetër është urrejtja që ka bërë bashkë në një front ballistët e vjetër, komunistët e rinj dhe vorio epirotët e përhershëm. Lufta për karrige e "liderëve" të shfrytëzimit të protestës po e vjedh karburantin që mban ndezur motorin e demokratizimit të mëtejshëm të Republikës.
Metodat dhe skemat haxhiqamiliste i shërbejnë vetëm qëllimeve të dumbabës. Është mëkat që reagimi dhe presioni progresist i qytetarëve të vërtetë, jo partiakë, që kërkojnë ndryshime që përmirësojnë performancën e Republikës të shkojnë dëm. Në këtë rast faji do u mbetet edhe disa analistëve që karriget e studiove u rrinë ngushtë e që mendojnë se karriget e Kuvendit mezi po presin të ndenjurat e tyre. Qeveria duhet të kuptojë se ka plot gjëra që nuk shkojnë mirë e për të cilat ata qytetarët jopartiakë, kanë të drejtë”, shkruan Koçi.
Komente










