Një ditë pas protestës së opozitës së bashkuar kryeministri Edi Rama vlerëson punën e Policisë së Shtetit, ndërsa tha se aktet e dhunës gjatë tubimit treguan se opozita duhet braktisur nga qytetarët e denjë. Lider demokrat Lulzim Basha nga ana tjetër, thotë se qeveria po kërcënon të ardhmen europiane të Shqipërisë. Kryedemokrati thotë se janë krerët e qeverisë, një bandë krimi siç e quan ai, që e kanë vendin në burg, dhe jo qytetarët e arrestuar për dhunën gjatë protestës.

Kryeministri Edi Rama pas ironisë së djeshme ndaj protestës së opozitës së bashkuar, ka reaguar edhe sot, teksa lartësoi veprimet e Policisë së Shtetit.

Shefi i qeverisë publikoi komunikimin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili tha se strukturat e Policisë treguan nivel të lartë dhe aftësi profesionale duke mos toleruar aktet e dhunshme në protestë.

“Policia e Shtetit dha dje një tjetër shembull kuptimplotë dinjiteti në krye të detyrës, ndërsa dhunuesit e saj një tjetër arsye për t’u braktisur nga çdo qytetar i denjë i kësaj republike”, shkruan Rama në “Facebook”.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj theksoi gjatë deklaratë se veç tentativave për të sulmuar Kuvendin e Shqipërisë pa deputetë, pati thirrje antikushtetuese për kryengritje, revolucion dhe dhunë. E kështu, sipas tij, protesta po kthehet në një problem të rendit kushtetues, ku vetë organizatorët, siç paralajmëroi ministri, nuk do t'i shpëtojnë përgjegjësisë.

Më pas, njëjtë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha publikoi në Facebook deklaratën për mediat që mbajti në selinë blu Organizatori i protestës së opozitës, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

"Ne jemi deri në fund në krah të njerëzve që janë ngritur kundër qeverisë-bandë që, bashkë me krimin dhe oligarkët, ka vjedhur dhe dhunuar shqiptarët, ka shkatërruar demokracinë dhe shtetin ligjor dhe po kërcënon të ardhmen europiane te Shqipërisë! Fati i qeverisë-bandë është rrëzimi i saj! Krerët e kësaj bande i pret burgu që sot e kanë mbushur me protestues të pafajshëm!", tha Basha.

Pas protestës së opozitës, Policia e Shtetit njoftoi se janë arrestuar 37 persona për veprime të dhunshme mbi institucionet kushtetuese, mbi policinë për shkatërrimin e pronës shtetërore dhe private. Ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë edhe 24 të tjerë, mes tyre edhe sekretari i përgjithshëm e PD-së, Gazmend Bardhi.