Pranvera Smith, një shqiptare me banim në Angli është një nga protestueset që iu bashkua protestës para Kryeministrisë ditën e djeshme. Televizioni i familjes Berisha, Syri Tv e prezanton me krenari si një gazetare shqiptare që erdhi për t’iu bashkuar demonstruesve në kauzën për mbrojtjen e Zvërnecit.

“Jam një gazetare e pavarur në Angli. Quhem Pranvera Smith. Kam 30 vite andej. Ne shqiptarët shikojmë jetën nga paraqitja dhe pastaj e shikojmë se çfarë mund të jetë”, thotë ajo ndër të tjerat për ‘Piranjat’.

Mirëpo, ndryshe nga çfarë trumbeton Syri, mediat angleze shfaqin një tjetër profil për 53-vjeçaren shqiptare. Jo si një gazetare, por e dënuar me 5 vite e 4 muaj burg për trafik njerëzish. Në një artikull të BBC të publikuar në 2020-ën, thuhet se Pranvera Smith e njohur edhe me pseudonimin ‘La Nonna’ ose ndryshe ‘Gjyshja’, së bashku me bashkëshortin e saj Flamur Daka kishin krijuar një organizatë bamirësie Freedom to Stay, për të ndihmuar azilkërkuesit shqiptarë, por në të vërtetë organizatën e përdoronin për trafik emigrantësh kundrejt parave.

Çifti hiqej sikur ndihmonte emigrantët, duke u kërkuar atyre deri në 1 mijë paundë, për të dhënë këshilla për emigracionin, por në fakt këto përfitohen falas.

Smith është e njohur për mediat britanike, pasi ajo përdorte nofkën “La Nonna” dhe kishte ndërtuar një grup të mirëfilltë kriminal. Në aksionin e zhvilluar në 2020, policia tha se në këtë veprimtari kriminale ajo mund  të ketë fituar të paktën 130,000 paund nga ‘viktimat’.