Protestuesit janë mbledhur sërish në protestë për të 15-tën ditë radhazi. Me thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”, “Narta, Zvërneci në fyt do ju ngecin”, ata marshuan nga sheshi Skëndërbej drejt Kryeministrisë.

Protestat nisën për të kundërshtuar resortin që pritet të ndërtohet në Zvërnec, një investim 4 mld dollarë.

Nga podiumi i protestës u lajmërua sa në turmë ka disa persona që po mbledhin karta identiteti dhe firma për një peticion, gjë që nuk është e vërtetë. Në këtë moment në turmë ka pasur tensione ku të përfshirë kanë qenë disa të rinj të maskuar mirë me kapuçë dhe syze të mëdha.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:52
Pankartat ‘hit’ në protestën në Tiranë, qytetarët shfrenojnë imagjinatën

Pankartat në protestën në Tiranë kanë një vëmendje të veçantë. Qytetarët janë treguar mjaft kreativë duke gjetur një mënyrë sa ironike aq dhe humoristike për të shpalosur pakënaqësitë ndaj qeverisë apo eksponentëve që dominojnë skenën politike në Shqipëri.

Ora 19:46
Koçeku dha dorëheqjen nga PS, protestuesi: Ra një gur shahu, në shesh derisa Rama të ngelë i vetëm

Një protestues në podium foli për dorëheqjen e deputetes Marjana Koçeku nga Partia Socialiste. Ai tha se nga kjo protestë kryeministri Edi Rama do të ngelë i vetëm dhe të gjithë ‘të vetët’ do të bien një nga një. Në fund të fjalës qytetari tha se Koçeku tashmë duhet t’i bashkohet protestës.

Vetë Marjana Koçeku nuk i ka bërë me dije arsyet e largimit nga grupi i PS.

“Sapo erdhi një lajm që tregon se sa madhe është kjo protestë. Një nga gurët e shahut sapo ka rënë, një deputet ka dhënë dorëheqjen nga PS. Deputetja e Shkodrës Marjana Koçeku sapo ka thënë jam deputet e pavarur. Ju erdhi fundi. Kjo na tregon se ne duhet të qëndrojmë në shesh, ato do të bien një nga një si gurë dominoje. Ne vlerësojmë vendimin e deputetes por themi që kjo është vetëm gjysma e punës, gjysma tjetër është t’iu bashkohet qytetarëve në shesh dhe bashkë me ne të këndojë ‘Rama jepe dorëheqjen’. Ne do t jemi derisa kryeministri të jetë i vetëm, dhe a e dini ku ngelin vetëm, në qeli”, tha një qytetar.

Ora 19:30
Dikush po mblidhe karta identiteti në turmë për një peticion të jashtëligjshëm, tensione në protestë! Të pranishëm persona të maskuar me kapuçë (VIDEO)

Nga podiumi i protestës u lajmërua sa në turmë ka disa persona që në mënyrë të jashtëligjshme po mbledhin karta identiteti dhe firma për një peticion. Në këtë moment në turmë ka pasur tensione ku të përfshirë kanë qenë disa të rinj të maskuar mirë me kapuçë dhe syze të mëdha. Ishte një burrë, i cili po i kërkonte qytetarëve kartat e identitetit për peticionin e supozuar.

Ora 19:13
Emigranti shqiptar nga Suedia në protestë: Kjo është koha e Shqipërisë së re, s’kemi pse ta ndërtojmë të ardhmen diku tjetër

Një emigrant shqiptar nga Suedia iu bashkua protestës para Kryeministrisë, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve që të kthehen në atdhe. Sipas tij, kjo është koha e Shqipërisë së re dhe populli nuk duron më padrejtësi.

“Më bëhet zemra mal kur shoh të rinj që protestojnë, që duan një të ardhme më të mirë. Mos u dorëzoni kurrë. Unë kam jetuar jashtë për 20 vite dhe u ktheva në vendin tim. Nuk kemi pse ta ndërtojmë të ardhmen diku tjetër. Ata që po na detyrojmë të ikin, janë shumë pak, janë një grusht shumë i vogël, ndërsa ne jemi një popull. Le ti shporrim ata, le të ikin ata, jo ne, se ne jemi shumë. Kjo është koha e Shqipërisë së re. Duhet ti japim mesazh kujtdo që vjen pas tyre, populli të jep votën, por populli të heq edhe karrigen. Ky popull nuk duron më padrejtësi. Rroftë Shqipëria e re. Rama në burg, Berisha në burg”, tha ai.

Ora 19:10
Qytetarja nga Gjermania i bashkohet protestës: Rama e skllavëroi këtë popull, nuk e lëshojmë tokën që ta shkeli Trump me këmbë

Një qytetare, e cila banonte në Gjermani mori fjalën në protestën e sotme duke thënë se shqiptarët nuk do ta lëshojnë tokën e tyre, të cilën e kanë mbrojtur me gjak.

“Falënderoj diasporën e Gjermanisë që është aq e fortë duke bërë demonstrata. E skllavëroi këtë popull ky njëri, e masakroni. Ne jemi shqiptarë që do ta sjellim gjithë Shqipërinë këtu. Trump, kjo tokë është lyer me gjak për mijëra shekuj dhe ne jemi bijtë e Skënderbeut dhe nuk do ta lëshojmë këtë tokë që ta shkelni ju me këmbë. Të bashkohen të gjithë gratë revolucionare, nënat me lot në sy se nuk kanë bukë të hanë. Rroftë demokracia. Rama në burg, Berisha në burg”, tha qytetarja, e cila jetonte në Gjermani.