Protesta te ‘5 Maji’ në Tiranë, Veliaj: Do marrin banesë edhe banorët  në proces legalizimi! Disa media duan të vendosin gjoba

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj sqaroi sot për herë të parë se banorët e lagjes '5 maji' në Tiranë ku do ndërtohet lagja e re dhe që janë në proces legalizimi do marrin shtëpi aq metra katror sa do iu shembet.

Ndërsa ata me letra pronësie do marrim më shumë. Ai theksoi se kush kërkon të bëjë karrierë në politike më këto kauza do dështojnë, ndërsa një mesazh i dha edhe mediave që vendosin gjoba.

Sipas tij askush nuk nund t'i vërë gjobë kryetarit të bashkosë ata politikanë që duan të bëjnë karrierë do humbë dhe disa media do damkosen nëse duan gjoba për të marrë apartamente si spekulantë.

“Ligji thotë se banorët që kanë shtëpitë te “5 Maji” nuk duhet të dëmtohen. Pra, nuk mund të zgjidhim një hall, duke krijuar një tjetër. Kjo është arsyeja pse edhe banorët që banojnë në Kombinat dhe te “5 Maji”, ku do bëhen lagjet e reja, do trajtohen njësoj. Kush është pronar me letra, do të trajtohet me formulën e pronarit, pra do marrë shumë më shumë seç kishte. Ndërkohë, dikush që është në proces legalizimi, pra e ka zaptuar atë tokë, që ka qenë në fakt tokë shtet, sepse gjithë Bregu i Lumit ka qenë tokë e Bashkisë, ndërmarrje e Bashkisë, do t’i marrin metrat katrorë siç i kanë pasur. Kontrata thotë: Sa metra ke? Ke 200 metra? Merr 200 metra banesë”, shpjegoi Veliaj. 

Kryebashkiaku tha se kush nuk provon që është pronar i banesës ku banon, por është thjesht qiraxhi në atë banesë, nuk përfiton. 

“Shtëpitë i përfitojnë vetëm ata që kanë lidhje me atë pronë. Kemi verifikuar se njerëzit që ulërasin më shumë në televizor janë o qiraxhinj, o rrinë tek kunata apo te baxhanaku. Por, ndërtesa bëhet për pronarin e shtëpisë; është si të thuash, ra tërmet në një hotel dhe meqë isha aty, në atë dhomë, të marr edhe unë një dhomë nga hoteli i ri kur të ndërtohet. U përplas makina që kisha marrë me qira dhe kur të bëhet pagesa nga siguracioni të marr dhe unë një makinë. Jo! Makinë të re, hotel të ri, pallat të ri, apartament të ri merr pronari, jo ti që ishe bujtës aty sepse prona nuk është e kunatit, as e baxhanakut, por është e kryefamiljarit ose e personit që e ka të regjistruar si pronë”, tha Veliaj. 

Ai shtoi se spekulantët do të demaskohen.

“Kush është spekulant do trajtohet si spekulant dhe do të nxirret publikisht si mashtrues, që shkon të përfitojë në një vend që nuk është i tiji, por i dikujt tjetër, vetëm për faktin se ka ndenjur aty disa kohë, qoftë me qira, ose qoftë në dakordësi me pronarin real. Njerëzit duhet të kuptojnë se këto nuk janë sevapet personale të Kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë. Këto janë programe sociale, që shkojnë për të ndihmuar dy faktorë: Ata që humbën shtëpinë nga tërmeti dhe ata që, në fakt, për 1000 arsye, u gjendën në atë tokë të Bashkisë dhe të qeverisë, fillimisht duke e marrë pa leje, pastaj duke ndërtuar pa leje, por eventualisht duke e legalizuar dhe hipotekuar”, përfundoi ai.

Lagjja “5 Maji” në Tiranë prej ditësh është kthyer në vatër protestash të banorëve kundër shembjes së shtëpive të tyre që preken nga procesi i rindërtimit për zhvillimin e zonës së re, siç përcaktohet në vendimin që Këshilli i Ministrave ka marrë më 22 shtator të këtij viti.

Banorët e njësisë administrative numër 4 dhe numër 8 që preken nga ky plan, do të strehohen më tej në një bllok pallatesh që ndërtohet po te “5 maji” e ku do të bashkëjetojnë edhe banorë, shtëpitë e të cilëve kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit, por edhe ata që i kap plani zhvillimor.

Teksa banorët shprehen të paqartë mbi ata se çfarë do ndodhë me fatin e shtëpive të tyre, vendimi i qeverisë saktëson se shpronësimi për interes publik, do të bëhet me kompensim me shkëmbim, që do të thotë se të njëjtën sipërfaqe që shteti u shemb, do ia zëvendësojë me të njëjtën sipërfaqe në bllokun e pallateve të rinj. Kjo përfshin “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “jo banimi”, sipas kontratave individuale që do të lidhen, ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe subjekteve të prekura nga ky shpronësim.

“Sipërfaqja ndërtimore në objektet e reja për banim, që përfitojnë poseduesit e ndërtimeve të klasifikuara si ndërtime pa leje (banesa), është 100 për qind e sipërfaqes së objektit pa leje”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Në rast se banorët nuk kanë një shtëpi tjetër ku të strehohen, atëherë banorët do të duhet të paraqiten në njësitë bashkiake për të aplikuar për bonus qiraje me vlerë tregu, që në procedurë është i njëjtë me bonusin që u dha për të prekurit nga tërmeti i 2019-ës.

Procesi i shpronësimeve për interes publik është parashikuar të realizohet në 5 faza ndërsa në vendimin e parë të qeverisë për këtë proces, janë publikuar lista me emra banorësh që i përkasin vetëm fazës së parë. Atyre u është bërë njoftimi të lirojnë banesat deri më 30 tetor, afat që u shty edhe me një javë, duke u dhënë kohë të zhvendosin sendet e tyre personale në shtëpitë që do të marrin me qira. Për shumë banorë të tjerë, të cilët mund të jenë edhe në mesin e protestuesve, procedurat dhe komunikimet që autoritetet do të bëjnë me të, i përkasin një faze më të mëvonshme. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:38
‘5 Maji’/ Veliaj mesazh Rushajt dhe Gjekmarkajt: Bregu i Lumit i hëngri disa karriera politikanësh, mos paçi fatin e tyre!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ka dhënë një mesazh dy deputetëve të PD-së, Alfred Rrushaj dhe Agron Gjekmarkaj, të cilët prej disa ditësh po organizojnë protestat me një grup banorësh në zonën e “5 Majit”, se përmes politikës së bllokimit të projekteve do të gjejnë fundin e karrierës politike.

Duke sjellë shembujt e mëparshëm si tek “Bregu i Lumit” apo “Bulevardi i Ri”, Veliaj u kujtoi dy deputetëve demokratë se nëse do vazhdojnë të përdorin për politikë projektet e bashkisë, do të përfundojnë në koshin e histories, siç përfunduan paraardhësit e tyre deputetë, që krijonin konflikte të paqëna.

“Përgjigja ime për të gjithë ata politikanë që shkojnë dhe nxisin numëruesit e tyre, komisionerët e tyre, tarafin e tyre, për të organizuar protesta, dua t’ju kujtoj një gjë: Ai “Bregu i Lumit” i ka ngrënë disa karriera politikanësh, që sot nuk e ekzistojnë më, njerëzit ua kanë harruar emrat. Ai “Astiri” i hëngri disa koka politikanësh që sot nuk janë më as në Parlament, askund! Ai “Bulevardi i Ri” i hëngri disa koka politikanësh, ai “Liqeni” i hëngri disa koka politikanësh, ai këndi i lodrave, ajo “Kalaja” apo Pazari i Ri, i hëngri disa koka politikanësh. Kështu që, për ata që janë rishtarë si deputetë të opozitës dhe që e kanë marrë me zell përdorimin e taktikave të vjetra për të bllokuar punët e qytetit, kam vetëm një paralajmërim: “Mos paçi fatin e atyre që e lanë karrierën te “Bregu i Lumit”. Nëse do vazhdojmë të përdorim për politikë projektet e bashkisë, nuk do t’ju lë asgjë mangët që të përfundojnë në koshin e histories, siç përfunduan të tjerët që, për të penguar bashkinë, cystin njerëzit, cystin konflikt social, cystin protesta dhe cystin një histori histerie të paqenë”, tha Veliaj nga Krraba, ku i dorëzoi çelësat e banesës së re një prej familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës