Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se në protestën para Kuvendit, u dhunuan qytetarë dhe u kërcënuan organizatorët e saj. Edhe pse protesta kërkon largimin e klasës së vjetër politike, Berisha i bën thirrje të tijëve të marrin pjesë deri në rrëzimin e qeverisë Rama.
"Dua të dënoj me forcën më të madhe dhunën e egër shtazore të përdorur dje kundër protestuesve. Janë agresuar gra me fëmijë të vegjël me karroca. Janë agresuar qytetarë pa asnjë lidhje me protestën. Janë agresuar dhe kërcënuar me jetë eksponentë të protestës, vetëm e vetëm se po protestonin në mënyrën më paqësore. Aktet e dhunës shtazore të ushtruara këto ditë ndaj protestuesve paqësorë janë dëshmi e plotë e fytyrës kriminale të këtij regjimi diktatorial.
Duke dënuar ato me forcën më të madhe, u bëj thirrje të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike, të gjithë qytetarëve, të bashkohen dhe të mbështesin këtë protestë për të realizuar largimin e këtij regjimi, ndër më të këqijtë që kanë njohur shqiptarët në histori. Është koha që çdo qytetar shqiptar të japë kontributin e tij për shpëtimin e vendit.
Kërkesat e lëvizjes së protestës rinore qytetare, janë kërkesa të çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Janë kërkesa në mbrojtje të interesave jetike të shqiptarëve, interesa të kërcënuara në mënyrë fatale nga organizata kriminale dhe qeverisja shqiptare dhe kreu i saj Edi Rama që plaçkisin çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, dhe varfërojnë në mënyrë të të tmerrshme shqiptarët. Ndaj dhe ftoj demokratët, të frymëzuar nga kjo protestë e pandërprerë, të japin kontributin e tyre në këtë moment historik. Edi Rama nuk ka të ardhme. Është i plagosur për vdekje politikisht, ndaj dhe duhet t’i japim shtysën përfundimtare", tha Berisha.
Lajmi kryesor:
Akuza e Berishës: Olsi Rama i implikuar në afera bixhozi, mori licencë kazinoje në shkelje të ligjit! E çojmë në SPAK










