Protesta e banorëve të Rrjollit kundër resortit të botuesit dhe ndërtuesit Bashkim Ulaj zhvillohet prej një muaji, duke përshkallëzuar edhe në përplasje të forta. Banorët janë të vendosur për të mos ia lëshuar tokat e tyre “Gener 2”, kompanisë së botuesit pranë familjes Berisha, edhe pse gjatë përleshjeve kanë marrë edhe lëndime fizike.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë e sheh në dy këndvështrime këtë ngjarje. Në “Studio Live” në Report Tv, ai shprehet se reagimi i vendosur i banorëve ndaj padrejtësisë është pozitiv, por nga ana tjetër, Ulaj është një oligark që po u hyn në hak.
“Aspekti pozitiv është që banorët po reagojnë në mënyrë të vendosur ndaj një padrejtësie që po bëhet. Ata kanë fituar gjyqet e shkallës së parë, disa familje e fise kanë fituar edhe gjyqe në Apel, ndërkohë që të tjerët janë në proces. Nga ana tjetër kemi një sulm nga Bashkim Ulaj për ta ndërtuar atë hapësirë me një shpejtësi rekord. Janë 20 kamionë që shkojnë, si të mos ekzistonin, me një nxitim të madh që ta bëjmë fat të kryer zaptimin e tokës dhe ndërtimin e këtij resorti dhe më pas gjykata të vendosë çfarë dëmshpërblimi u takon. Gjithmonë tendenca që e kryejmë një herë faktin dhe pastaj gjejmë kush ka të drejtën. Rasti tipik ku mund të bëhet dallimi mes biznesmenit dhe oligarkut. Oligarku nuk është gjë tjetër veçse një biznesmen që hyn në hakun e banorëve, të Rrjollit në këtë rast. Në vend që të ishte ulur mes tyre dhe të negocionte për vlerën e tokës së tyre, ai i bie më shkurt, të korruptojë politikanin në pushtet sesa t’u japë banorëve atë që u takon”, tha Muçi.
Komente










