Berisha nuk ka një distancim të qartë për sulmet ndaj bizneseve, dhe dhjetëra dyqaneve e filialeve të bankave në vend

“Unë kam dëgjuar këto ditë zëra, të cilët nuk janë kundër studentëve, janë pro studentëve, por që piskasin gjer në qiell se u prek kjo pronë apo ajo pronë. Jam absolutisht kundër prekjes së pronave, por u them këtyre miqve të mi se hajduti më i madh i të gjitha kohërave i pronave që shenjtëroni, është Edi Rama dhe do bënit mirë të bashkoheni me studentët.

Nuk jam për të prekur pronat, por nuk mund të injoroj kurrë se shkatërrimtari më i madh i pronave, grabitësi, plaçkitësi më i madh i pronave të shqiptarëve është Edi Rama, narkodiktatori që ju nuk ia thoni dot narkodiktator. Se vërtet u prek diku një dyqan dhe u thye një vitrinë, po Porti i Durrësit 4 miliardë euro pasuri e juaja që vidhet nga Edi Rama me një grup, ku e keni zërin? Bashkohuni me studentët sepse janë në një mision shpëtimtar, njëlloj siç ishin në vitin 1990”, tha Berisha.

Për të e rëndësishme është që sa më shumë qytetarë t’i bashkohen protestave, ndërsa dënoi dhunën  e egër që sipas tij policia ka përdorur

“Çdo orë është humbje e madhe për ne. Ndaj dhe ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetar shqiptar, çdo biznesmen të solidarizohet me studentët. Të përdorë forcën e biznesit të tij kundër kësaj qeverie dhe në mbështetje të studentëve. Të ulë qepenin, të vendosë tabelën se jam në grevë, siç janë ata që po lënë mësimin dhe po përballen dhëmb për dhëmb me armiqtë e egër të qenies tonë.Kurrë ndonjëherë një egërsi e tillë ndaj protestuesve nuk është dëshmuar në rrugët e Tiranës”, vijoi Berisha.

Por protestën opozita nuk e mbështet vetëm me thirrje drejtuar qytetarëve. Sali Berisha pohoi se njerëzit e tij janë pjesë e saj.

“PD, të garantoj që i ka njerëzit e vet në terren, në protestë dhe do t’i ketë gjer ditën e fundit të fitores së saj. Për këtë nuk ka asnjë dyshim. Kështu që nuk ndahemi ne nga kjo protestë", tha Berisha. 

Zërave në protestë që janë dhe kundër opozitës Berisha i përgjigjet se janë të nxitur nga qeveria.

“Një pjesë e madhe e të rinjve, ose pjesa më e madhe e të rinjve dhe shoqërisë, është viktimë fatkeqe e propagandës qeveritare dhe 90 përqind të medieve të kontrolluara nga qeveria”, theksoi Berisha.

Në një tjetër deklaratë në mbrëmje, Berisha i kërkoi sërish Ramës dorëheqjen duke e akuzuar se po çon vendin në konflikt social. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:33
Protesta/ Berisha i kërkon dorëheqjen Ramës: Po e çon vendin në konflikt civil

Ndërsa protesta përshkallëzoi në akte dhune, kreu i PD Sali Berisha në një deklaratë i kërkoi sërish dorëheqjen kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po e çon vendin drejt konfliktit civil.

Deklarata e plotë e Berishës

Tirana përjetoi sot ditën e dhunës dhe terrorit më të egër shtetëror ndaj studentëve të rinj dhe qytetarëve, në revoltën e tyre kundër narkoshtetit, kundër padrinos Edi Ramës, zjarrvënësit më të madh në histori të ëndrrave, të idealeve fisnike të të rinjve shqiptarë, të të ardhmes së tyre. Sot qytetarët dhe të rinjtë e Tiranës, qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë ishin në një mosbindje të plotë civile. Protestuesit, të rinj, të reja, burra, gra, u përballën si luanë me breshëritë e plumbave të vrasësve shtetërorë, me tonelatat e gazit dhe helmeve drejt tyre, por triumfuan. Tirana, kryeqyteti, nuk ka qenë kurrë më shumë se sot në duart e tyre. Mosbindja civile ishte Shkodra, Durrësi, Elbasani, Vlora, Korça dhe qytete të tjera. Pra në qoftë se dje ishte dita e grevës së përgjithshme të universiteteve dhe gjimnazeve të vendit, sot ishte dita e mosbindjes civile të përgjithshme të qytetarëve shqiptarë në të katër anët e vendit.

Përulem me nderimin më të madh para dhjetëra mijëra qytetarëve që shtruan këtë ditë me guximin, trimërinë, vendosmërinë e tyre epike, në një ditë shprese të madhe për shqiptarët. Janë dhjetëra, dhjetëra të plagosur nga plumba gome me fuqi vdekjeprurëse, të plagosur në kokë, të plagosur në gjoks, të plagosur në krah dhe kudo. Kurrë ndonjëherë, siç kanë përdorur sot narkobanditët me uniformë breshëri të pandërprera plumbash gome nuk janë përdorur më parë.

Edi Rama kërkon gjak. Edi Rama kërkon viktima. Edi Rama i zhytur në krimet më të shëmtuara, në vend të dorëheqjes, preferon gjakderdhjen. Në vend të zgjidhjes politike, preferon konfliktin civil. Unë i them Edi Ramës dhe një herë, jep dorëheqjen urgjentisht, mos ço Shqipërinë drejt një konflikti civil, sepse do të jesh ti viktima më kryesore e tij. Jep dorëheqjen, hapi rrugën zgjidhjes të denjë për një vend anëtar të Natos, për një vend me aspirata të forta për integrimin europian. Jep dorëheqjen, në emër të ëndrrave, idealeve dhe të ardhmes së shqiptarëve, ndërtues i narkoshtetit më të konsoliduar në Europë dhe në botë. Jep dorëheqjen, mos u kthe në genin e etërve të tu mizorë, sepse ndëshkimi do të jetë i madh për ty. Njofto një minutë e më parë dorëheqjen.

Ndërkohë, shpreh solidaritetin tim me të gjithë qytetarët, të rinjtë, studentët, demokratë, pa parti, socialistë, çfarëdo qofshin në këtë protestë. U bëj thirrje qytetarëve, edhe si një akt përgjegjësie të vonuar, edhe si një akt detyrimi prindëror ndaj këtyre të rinjve, edhe si një akt detyrimi qytetar për të rikthyer në këtë vend shpresën e ligjit, liritë, të drejtat e shqiptarëve, të solidarizohen me revoltën si rruga më e sigurt e zgjidhjes më të shkëlqyer, por dhe si rruga e drejtë e historisë. Ju bëj thirrje demokratëve, demokratëve dhe mbarë qytetarëve në të gjitha rrethet të mobilizohen me të gjithë potencialin e tyre për mosbindje civile.

Mosbindja civile në çdo rreth është ndihma më e çmuar për studentët, luftëtarë të lirisë. Për studentët, për gjimnazistët, heronj të vërtetë. Këtij regjimi të urryer duhet t'i dridhet toka nën këmbë në çdo metër katror të territorit të këtij vendi. Ndërsa, për qytetarët që mund të vijnë në Tiranë nesër, të vërshojnë drejt kryeqytetit. Këtu është logu, këtu është sheshi, ku fitorja do firmoset nga qytetarët shqiptarë. Edhe një herë, thirrja ime: të gjithë në këmbë, për t'i dhënë ndëshkimin e merituar këtij regjimi të urryer për shqiptarët. Faleminderit.

Lajmi në përditësim...