Ambasada Amerikane në Tiranë ka lëshuar një njoftim sigurie për protestat që po zhvillohen në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë, Kukës dhe Elbasan. Sipas ambasadës, disa prej protestave janë kthyer në përplasje të dhunshme, ku janë përdorur mjete zjarrvënëse, janë hedhur gurë dhe janë dëmtuar prona publike e private.

Në njoftimin e datës 15 tetor, ambasada thekson se protestat mund të përhapen edhe në rrugët përreth, duke sjellë shtim të pranisë policore, bllokime rrugësh dhe devijime të trafikut. Për këtë arsye, personelit të saj i është kërkuar të shmangë të gjitha zonat e protestave. Ambasada paralajmëron gjithashtu se mund të ketë mbyllje të tjera ose kufizime shërbimesh në transportin publik, zyrat shtetërore dhe shkolla në të gjithë vendin. Qytetarëve u rekomandon të qëndrojnë larg tubimeve, të ndjekin mediat vendase, të zbatojnë udhëzimet e Policisë dhe të kenë një plan për t'u larguar në rast rreziku.

Njoftimi i plotë i Ambasadës

"Demonstrata po zhvillohen në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë, Kukës dhe Elbasan, veçanërisht në qendrat e qyteteve dhe pranë ndërtesave qeveritare.

Disa prej demonstratave janë shoqëruar me dhunë. Protestuesit kanë përdorur mjete zjarrvënëse, kanë hedhur gurë dhe kanë dëmtuar prona publike dhe private. Demonstrata të tjera mund të zhvillohen në ditët në vijim.

Demonstratat mund të përhapen edhe në rrugët përreth, duke sjellë shtim të pranisë së policisë, probleme me qarkullimin, devijime të trafikut dhe bllokime rrugësh.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka udhëzuar personelin e saj të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstrata.

Qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale në plan të parë. Ndiqni mediat lokale për informacionet më të fundit dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit.

Pasojat e pritshme

Priten mbyllje të tjera ose kufizime të shërbimeve publike në të gjithë Shqipërinë, përfshirë transportin publik, zyrat shtetërore dhe shkollat.

Masat që duhen marrë

Rrisni kujdesin për sigurinë tuaj duke shmangur demonstratat dhe duke qenë të vëmendshëm ndaj asaj që ndodh përreth jush. Kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonave apo kufjeve në ambiente publike. Ndiqni mediat lokale për informacionet më të fundit. Mbani gjithmonë një plan emergjence ose një mënyrë për t'u larguar nga zona në rast rreziku dhe shmangni tërheqjen e vëmendjes" 


Lajmi kryesor:

Protestat/ OSBE: Gati të ndihmojmë për dialog! BE: Dhuna s’ka vend në demokraci! Ambasada e SHBA: Protestuesit po hedhin gurë e po dëmtojnë prona, qëndroni vigjilentë