Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka vijuar aksionin kundër ndërtimeve pa leje në bregdetin e jugut, duke shembur disa objekte në zonat e Qeparos, Llogarasë dhe Himarës.
Sipas njoftimit, në zonën e Llogarasë, pjesë e Njësisë Administrative Orikum, u prish një objekt pa leje me sipërfaqe 53 metra katrorë, njëkatësh, i ndërtuar me muraturë dhe i mbuluar me soletë. Objekti ishte skualifikuar më herët nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Ndërhyrje pati edhe pranë plazhit të Filikurit në Bashkinë Himarë, ku u shemb një objekt me mur guri dhe betoni, me gjatësi 290 metra dhe lartësi 2 metra.
Ndërkohë, në Qeparo, IKMT shembi një objekt dykatësh me konstruksion betonarme dhe metalik. Godina ishte ndërtuar pa leje dhe kishte një sipërfaqe totale prej 264 metrash katrorë.
Aksioni vjen pak ditë pas një aksioni të policisë në jug ku u arrestua kryeinspektori i IMTs Dorian Hoxha, i cili dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar ndërtime pa leje.
Veç këtij rasti, kujtojmë se ndërtimet pa leje shkrinë komisariatin e Sarandës, me kupolën drejtuese të arrestuar nën dyshimin se përmes rryfshetit, kanë lejuar subjekte të lidhura me grupe kriminale të investojnë në një plazh të paligjshëm privat në vijën bregdetare më të bukur të Sarandës
Komente










