Tetori ka regjistruar kthesë të fortë negative në turizmin shqiptar. INSTAT raporton se numri i të huajve që ka hyrë në vend në muajin e kaluar ka rënë me 12.5% në krahasim me tetorin e 2025-ës.
Në total gjatë tetorit kanë hyrë në vend 795 mijë të huaj, nga 908 mijë që ishte shifra vitin e kaluar. Gjithashtu edhe shqiptarë kanë ardhur më pak, pasi është regjistruar rënie me 0.9%. Ndërsa daljet nga vendi u rritën me 1.1%, pasi në total udhëtuan jashtë shtetit 1.5 milionë, shqiptarë e të huaj.
Kjo rënie e të huajve që vijnë në Shqipëri ishte e pritshme, pas protestave të dhunshme që nisën që më 13 tetor, e që shkaktuan tensione të shumta për më shumë se dy javë, protesta që ende vijojnë edhe pse me intensitet më të ulët.
Kaosi i krijuar dhe dhuna ndaj institucioneve, bizneseve private apo infrastrukturës publike përtej përplasjeve me policinë, shkaktuan pasiguri tek turistët të cilët anuluan rezervimet e bëra.
Operatorë turistikë, ekspertë por edhe vetë qeveria është shprehur se sektori më i prekur nga trazirat është ‘turizmi’, për shkak të cenimit të imazhit, duke qenë se protestat u pasqyruan masivisht edhe në mediat ndërkombëtare. Ngadalësimi i numrit të të huajve që vijnë në Shqipëri, nisi që në qershor, të cilin qeveria e lidhi me impaktin negativ të protestave aso kohe paqësore.
Përtej luhatjeve, sektori i turizmit konsiderohet një nga motorët kryesorë të rritjes ekonomike të vendit, dhe në raport me vjet po sjellë më shumë para, të paktën në 6 mujorin e parë të vitit.
Ndërkohë si periudhë 10 mujore, në vend kanë hyrë 11.5 milionë të huaj me rritje prej 3.5% krahasuar me 11.1 milionë të huaj që erdhën janar-tetor 2025. Ndërsa numri i shqiptarëve që kanë dalë jashtë vendit për këtë periudhë ishte 7.5 milionë shtetas, duke u rritur me 4.9% krahasuar me 2025-ën.










Komente
Komento