Vendimi i administratës së Donald Trump për të dërguar agjentë të Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Milano ka shkaktuar reagime të forta në Itali. Protestat shpërthyen në qytet, ndërsa kundërshtimet u shprehën hapur edhe nga autoritetet lokale.

Në këtë klimë tensioni, tre federata sportive amerikane, U.S. Figure Skating, USA Hockey dhe U.S. Speedskating, vendosën të ndryshojnë emrin e hapësirës së tyre pritëse në Milano. Ambienti që fillimisht quhej “The Ice House” (Shtëpia e Akullit) do të quhet tani “The Ëinter House” (Shtëpia e Dimrit).

Në një deklaratë të përbashkët, organizatat thanë se hapësira është menduar si një vend privat, larg polemikave, ku sportistët dhe familjarët e tyre të përjetojnë Lojërat Olimpikepa presionin e debatit politik. Sipas tyre, emri i ri lidhet më drejtpërdrejt me frymën e dimrit dhe vetë eventin olimpik.

Protestat në Milano u shoqëruan me pankarta kundër pranisë së agjentëve të ICE, ku një prej mesazheve më të dukshme ishte: “Agjentë të ICE në Milano? Jo, faleminderit”. Kryetari i bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, u shpreh publikisht kundër vendimit, duke thënë se qyteti “nuk ka nevojë për ICE” për sigurinë e Lojërave.

Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare bëri të ditur se agjentët do të ndihmojnë në verifikimin dhe parandalimin e rreziqeve nga krimi i organizuar ndërkombëtar, në bashkëpunim me autoritetet italiane.

Tensioni u reflektua edhe në nivele më të larta diplomatike. Presidentja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Annalena Baerbock, u bëri thirrje shteteve anëtare të respektojnë armëpushimin olimpik për Milano Cortina 2026, duke theksuar rëndësinë e paqes dhe bashkëjetesës gjatë Lojërave.

Armëpushimi olimpik për Milano-Cortina 2026 u miratua në nëntor të vitit të kaluar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në një përpjekje për të shmangur tensionet politike dhe për ta mbajtur vëmendjen te sporti. 

Lojërat Olimpike Dimërore të Milanos do të mbahen nga data 6 deri me 22 shkurt.