Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi dhe analisti Arben Meçe, kanë diskutuar në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, lidhur me protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë, ku gjatë ditës së sotme u shënuan edhe incidente para godinës së Parlamentit.

Gjatë fjalës së tij, deputeti Redi Muçi deklaroi se kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të mos e çojë vendin në luftë civile, ashtu siç sipas tij bëri Sali Berisha në vitin 1997, duke mos pranuar të largohej nga pushteti.

Muçi tha gjithashtu se përgjegjësi duhet të mbajnë edhe deputetët e Partisë Socialiste, të cilët sipas tij po e mbajnë kryeministrin Rama ende në Qeveri.

“Deputetët e mazhorancës duhet të mbajnë përgjegjësi, duhet të tërhiqen. Pra të mos besojnë më një qeveri që deri në këtë moment që flasim, një kryeministër që deri në këtë moment që flasim, nuk ka dhënë asnjë shpjegim politik për atë që është duke ndodhur në shesh, veçse ka targetuar një nga një të gjithë ata që marrin pjesë aty. Këmbëngulja e tij për të mos mbajtur përgjegjësi bie edhe mbi deputetët që i ka ulur në atë sallë, që e duartrokasin dhe që ngrenë kartonat. Sali Berisha në 1997 nga këmbëngulja e tij për të mos hequr dorë nga pushteti, e çoi vendin në luftë civile. Edi Rama nuk e di çfarë ka në plan të bëjë. Këto ‘karamelet’ për pensionistët, janë një përpjekje e dëshpëruar e qeverisë”, tha mes të tjerash Muçi.

Nga ana tjetër, analisti Arben Meçe tha se është shprehur se organizatorët e vërtetë të protestës që po zhvillohet prej ditësh në Tiranë janë kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori dhe deputeti i kësaj force politike, Redi Muçi.

Meçe tha se pavarësisht se janë organizatorët reale, Qori dhe Muçi nuk dalin vetë në skenë, por fshihen pas aktivistit Arben Kola.

Ai tha gjithashtu se organizatorët kanë ndryshuar edhe strategjinë e protestës, duke kaluar nga tubimet paqësore te tubimet e dhunshme, me qëllim provokimin e ‘Shtetit’ dhe mbajtjen gjallë të adrenalinës te protestuesit.

“Precedenti më i rrezikshëm që mund të ekzistojë. Liria për të goditur shtetin, liria për të goditur individin. Këtu në Shqipëri, nëse Policia këtij akti i përgjigjet, kjo quhet dhunë. Nesër, njësoj si protestuesit, mund të dalin edhe patronazhistët të sulmojnë njerëz. Kjo turmë është me drejtues, por drejtuesit fshihen. Muçi është organizatori, është ai që inspiron të gjithë këta të tjerët, por nxjerr Ben Kolën, që ka ardhur nga Kukësi në Tiranë dhe merr përsipër të drejtojë revolucionin. Në inkoshiencë tregon se nuk është në opinion, por është në drejtim. Ai flet si drejtues, por nuk ka kurajon që të dalë si drejtues. Sepse do që kësaj proteste t’i japë një drejtim popullor. Parlamenti ka gjithë javën që po mblidhet, por nuk pati akte të pretenduara si sot. Sepse është ndryshuar strategjia. Shteti duhet të provokohet, për të mbajtur gjallë adrenalinën e protestuesve. Edhe deklarata e Arben Kolës, është pjesë e ndryshimit të strategjisë. Por dështimi i Sali Berishës është pikërisht përdorimi i asaj metode”, tha mes të tjerash Meçe.