Në orën 10:0, kryeministri Edi Rama do të mbajë një konferencë për media ku do të japë shpjegime për situatën e krijuar ditëve të fundit në Zvërnec si dhe për të sqaruar aludimet. Protestat që kundërshtojnë ndërtimin e resortit në zonën e mbrojtur janë rritur ndërsa e pajustifikueshme mbetet dhuna që një grup rojesh private të ‘Major Security’ kanë ushtruar ndaj qytetarëve, të cilët po protestonin.

Në reagimin publik, Rama shkroi se tashmë është radha e tij për të folur për “projektin e jashtëzakonshëm për Shqipërinë”, i planifikuar për tu jetëzuar në zonën e Zvërnecit. Ai gjithashtu përgëzoi dhe kryepolicin Skënder Hita për faktin që pezulloi drejtorin e policisë së Vlorës, si dhe për vënien nën hetim të zinxhirit komandues të bluve në qytetin bregdetar, pas indiferencës që treguan teksa para syve të tyre disa roje private dhunonin protestues.

Dhuna ndaj protestuesve kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec ka çuar në arrestimin e punonjësit të sigurisë Genard Biba, 32 vjeç, pjesë e kompanisë “Major Security”, ndërsa dy kolegë të tij, Artur Grami dhe Gazmend Vathi, janë vënë nën hetim. Sipas Policisë së Shtetit, Biba ka goditur me grushte një protestues dhe më pas, në bashkëpunim me dy punonjësit e tjerë, e ka marrë me forcë dhe e ka tërhequr drejt kabinës së rojeve, ku është mbajtur deri në ndërhyrjen e policisë. Ndaj tij janë ngritur akuzat për “Heqje të paligjshme të lirisë” dhe “Plagosje të lehtë me dashje”, ndërsa dy të tjerët hetohen për plagosje të lehtë me dashje.

Ngjarja nxiti reagime të forta edhe për shkak të qëndrimeve kontradiktore të Policisë së Vlorës dhe Policisë së Shtetit. Fillimisht u pretendua se protestuesi kishte hyrë me forcë në kantier, por më pas Policia e Shtetit sqaroi se ai ishte tërhequr nga rojet private që në rrethimin e zonës së ndërtimit, çka solli pezullimin e drejtorit të Policisë së Vlorës, Elidon Cela. Ndërkohë, mbeten pa përgjigje pyetjet mbi autorizimin e rojeve private për përdorimin e spray-t ndaj protestuesve dhe policëve, si edhe arsyet pse forcat e rendit nuk ndërhynë menjëherë gjatë incidentit. Për këtë arsye, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar hetim disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës lidhur me menaxhimin e protestës.

Lajmi në përditësim...