Pasi qëndruan mbi 4 orë protestë para ministrisë së Brendshme dhe kryeministrisë, protestuesit mbrëmjen e djeshme e kanë mbyllur marshimin në shtëpinë e të ndjerit, Klodjan Rasha, 25 vjeçarit që u vra të martën nga një efektiv policie.

Babai i 25-vjeçarit, Qazim Rasha u shpreh se ajo që i ndodhi atij, uron që të mos i ndodhë askujt, ndërsa kërkon drejtësi për fëmijën e tij, që fajtori të shkojë në vendin që e meriton. Këto thirrje për drejtësi ai ia drejton shtetit.

"Shteti të bëjë detyrën që i takon. Kërkojmë drejtësi. Atë që është për çdo njeri, qytetar, shqiptar, të ri, të moshuar, kërkoj që secili të gëzojë të drejtën dhe të gjejë atë shpresën te shteti, te ligji, te rregulli, te ajo që është e mira për të gjithë, që ti shërbejë, qoftë fëmijës, të rriturit, të moshuarit, që të kemi shpresë, të kemi të ardhme, që rinia të shkëlqejë, të eci përpara, të gëzojë një ditë të re", ka thënë ai.

Më tej babai duke iu referuar protestës ka dhënë disa mesazhe të forta, duke lënë të kuptohet se nuk pajtohet aspak me përdorimin politik që i është bërë ngjarjes. I prekur ai ka thënë se nuk i shërben politikës por familjes së tij.

Mendoj se vendi është ky, duhet ta ndërtojmë, ngremë, ta rrisim, ta mbështesim të gjithë. Si puna e djalit tim jeni edhe ju të të gjithë, të gjithë mendoni si puna ime, kush është prind e di peshën pak më mirë. Nuk më vjen mirë me dhënë intervista, nuk i shërbej asnjë lloj politike, por familjes sime, ke familja jam i detyruar me i thënë këto për hir të fëmijës që sot e varrosa. Ashtu siç mendoj unë mendojnë të gjithë.

Shteti të bëjë punën e vet, të japë drejtësi, fajtori të shkojë në vendin që meriton dhe ne të kemi një fije shpresë dhe mbështetje, dhe të mendojmë se kemi një të ardhme në vend dhe të rrisim fëmijët pa ndrojtje, apo frikë, që të mos ketë frikë të dalë te rruga dhe të kthehet dhe të vijë në këtë gjendje që erdhi i imi. Kjo mos i raftë askujt, nuk ia dëshiroj askujt, ishalla Shqipëria, dita që vjen dot ë bëhet më mirë", ka thënë ai.

Protesta e djeshme është shoqëruar me dhunë ndaj disa institucioneve shtetërore. Si pasojë mbetën të plagosur 9 policë ku njëri prej tyre do të operohet në sy dhe rrezikon ta humbë atë, gjatë përplasjeve u lënduan edhe dy protestues.

Protestuesit nuk kursyen as pemën e Krishtlindjeve të kryeminsitria të cilën e dogjën dhe më pas e rrëzuan. Në fund iu drejtuan qendrës ku dëmtuan dhe i vunë flakën edhe pemës së madhe në mes të sheshit. Fillimisht të rinjtë goditën e sende të forta policët dhe thyen xhamat e godinës së Ministrisë së Brendshme dhe më pas rreth një ore protestuesit u spostuan te Kryeministria. Në fund gjatë orës policore, disa qytetarë zgjodhën të bëjnë një marshim paqësor nga Kryeministria deri te banesa e të viktimës Klodjan Rasha.