Sot në Tiranë u mbajt protesta e 11-të kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, ku nuk munguan as thirrjet kundër qeverisë.
I ftuar në emisionin "Repolitix" me Denis Mingën në Report Tv, analisti Endri Tafani u shpreh se fokusi i debatit te shifra e investimit prej 4 miliardë eurosh po shërben për të shmangur problemin kryesor.
"Ideja që fokusi të numri 4 miliardë, për të dhënë idenë se kush e di çfarë po ndodh në Shqipëri, është një përpjekje për të shmangur thelbin, që është historia e korrupsionit dhe prepotencës shtetërore. Dhe kupa nuk derdhet te pika e fundit, por pika e fundit derdh kupën", deklaroi ai.
Sipas Tafanit, situata aktuale mund të shfrytëzohet nga aktorë të ndryshëm për interesat e tyre.
"Mund të përfitojë Greqia duke përdorur kartën e minoritetit, mund të përfitojë Irani duke bërë marketingun e vet, mundohen të përfitojnë mediat botërore duke i rënë Trumpit, mundohen të përfitojnë partitë politike, mundohen të përfitojnë OJF për të marrë fonde", tha ai.
Nga ana tjetër, deputeti socialist Ardit Bido ngriti pikëpyetje mbi mesazhet kryesore që po përfaqësojnë protestën, duke argumentuar se ato nuk janë domosdoshmërisht produkt i një dakordësie të gjerë mes protestuesve.
"Tezat të vendosen në krye të protestës, nuk është se janë pyetur ata (protestuesit) që këto janë tezat tona e cilat janë tezat kryesore të protestës. Vendosja në krye të kësaj proteste 'mos shit Shqipërinë', ndërkohë që tokat në Zvërnec ishin private, është një tezë antikapitaliste kundër interesit kombëtar, që është një rrymë që e ka ngritur në krye të protestës", u shpreh Bido.
Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj vuri në dyshim transparencën e investimit të propozuar në Zvërnec, duke kërkuar qartësi mbi identitetin e investitorëve përfundimtarë.
"Me aq sa unë di dhe në këtë mungesë të madhe transparence, që investitori na shfaqen dy njerëz, dy vëllezër sirianë, s'ka të bëjë fare me amerikanizmin e investimit. Është një skemë komplekse shoqërish tregtare offshore që nuk i dihet kush janë investuesit fundorë. Do e mirëkuptoja kryeministrin po të thotë: janë 1, 2, 3, 4 ata që do të investojnë", deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Alibeaj shtoi se investimet e huaja sjellin jo vetëm kapital, por edhe elementë të sigurisë strategjike për një vend.
Ndërkohë, eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli tha se ishte e pritshme që partitë politike të kërkonin të përfshiheshin në protestë.
"As që diskutohej që partitë e opozitës do të shikonin një shans për të hyrë që të infiltrohen. Tani është bërë si ortek. Do të ishte mirë që ata që janë organizatorët e vërtetë të reagonin dhe ky reagim është i shëndetshëm për lëvizjen", u shpreh ai.
Sipas Çoçolit, deri më tani protestuesit janë sjellë në mënyrë paqësore dhe kanë fituar mbështetjen e një pjese të qytetarëve.
"Deri tani janë sjellë paqësisht dhe kanë fituar simpatinë e qytetarëve. Nuk është se deri tani veprimet e tyre kanë sjellë shqetësim. Në dy ditët e fundit kanë provuar të lëvizin në rrugët e banuara të Tiranës dhe kanë sjellë një lloj acarimi të ligjshëm të qytetarëve që në ato momente donin të qetësoheshin. Kuptohet që janë tërësisht kundër pozitës së sotme", deklaroi ai.
Komente









