Ka një metamorfozë të Sali Berishës, kur vjen puna te protestat qytetare kundër projektit për të ndërtuar resort në Zvërnec. Në fillim i sulmoi qytetarët në protestë duke i quajtur mjeranë. Pjesëmarrësit, shumica të rinj, i quajti sorosist, e të kapur nga kryeministri.

Sot, i quan qytetarë të lirë, pjesë e një të vërtete të madhe, “trungu” siç shprehet ai, që kërkon të rrëzojë qeverinë. Por kur vjen puna te kori i protestuesve “Rama në burg, Berisha në burg”, kreu i PD-së bëhet qesharak.

Vetë të tijët, simpatizanë demokratë që e ndjekin në Facebook dhe bëhen pjesë e bashkëbisedimit online çdo të shtunë me liderin e partisë që mbështesin, e pyetën se çfarë ka për të thënë për kërkesën e protestuesve që Berisha duhet të përfundojë në burg.

I zënë ngushtë, ai bëhet kontradiktorë.

E gjithë turma thërret në kor “Rama në burg, Berisha në burg”, por kreu i PD-së e dëgjon me shkëputje këtë thirrje.

Kur vjen puna te “Rama në burg”, për të, protesta është madhështore, shenjë e revoltës ndaj qeverisë, që kryeministri duhet ta dëgjojë sipas tij, e të largohet.

Por kur ndan pjesën që i djeg më shumë, “Berisha në burg”, me frikën e një gjyqi në kurriz, i akuzuar për korrupsion në aferën “Partizani”, kreu i PD i rikthehet sulmeve ndaj qytetarëve në protesta.

“Nuk duhet që gjethet të na pengojnë për të parë trungun” , tha sot Berisha në bashkëbisedim online me demokratët.

Thotë se protesta ka dirigjim dhe se ata janë të shfrytëzuar nga “vegla” të qeverisë, opozitë e opozitës siç ai thekson.

Nga një protestë me një trung që shfaq të vërtetën e madhe “rrëzimin e regjimit të kalbur”, sipas tij, - kur përpara syve i vjen kërkesa për arrestim e tij, Berisha e sheh protestën “si një gjethe”.

E vërteta është shumë e thjeshtë: pavarësisht propagandës së sotme dhe përpjekjes për të marrë nën kontroll forcën e një demonstrate që ai nuk ka arritur kurrë ta organizojë në këto përmasa dhe me këtë kreativitet, Berisha pretendon se çështjen e Zvërnecit apo investimet e familjes Trump i ka denoncuar i pari.

Në fakt, në asnjë nga mitingjet partiake të thirrura prej tij gjatë viteve të fundit nuk është përmendur kurrë as Zvërneci, as Sazani, as resortet e familjes Trump dhe aq më pak flamingot. Madje, flamingot u rikthyen në lagunën e Nartes vetëm pas ndryshimit të qeverisë, kur peshkatarët e lidhur me Partinë Demokratike u larguan me forcë nga rojet e reja të parkut kombëtar. Në kohën e Berishës, këto struktura ishin korruptuar deri në atë pikë sa toleronin edhe peshkimin me tritol.