Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me socialistët në Vlorë në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të kësaj force politike, foli edhe për protestat që zhvillohen në Tiranë lidhur me projektin për ndërtimin e një resorti në Zvërnec.

Rama tha se kishte mbërritur në Vlorë drejtpërdrejt nga Tivati dhe se vizita e tij në qytetin malazez e kishte bërë të reflektonte mbi mënyrën se si investimet mund të ndryshojnë rrënjësisht të ardhmen e një vendi.

“Dua t’ju them se sot erdha këtu drejtpërdrejt nga Tivati. Gjatë gjithë kohës që kam qenë atje, kam menduar se si mund të ndryshojë rrënjësisht fati i një vendi dhe se si një vendim i gabuar apo një sjellje e gabuar e atyre që marrin vendime mund ta devijojë rrugën e së ardhmes së një vendi në një drejtim krejt tjetër”, u shpreh Rama.

Duke folur për transformimin e qytetit malazez, Rama theksoi se Tivati dikur ishte një qytet me rreth 10 mijë banorë, i konsideruar si një destinacion bregdetar i nivelit të ulët dhe me pak turistë. Sipas tij, investimet e mëvonshme e shndërruan qytetin në një destinacion që sot pret miliona vizitorë çdo vit.

“Përpara se të transformohej, Tivati ishte një qytet me rreth 10 mijë banorë, ku nuk shkonin turistë dhe që konsiderohej nga të gjithë si një bregdet i nivelit të ulët. Erdhi një investim që e transformoi Tivatin në një vend që sot pret rreth 5 milionë turistë në vit”, deklaroi kryeministri.


Lajmi kryesor:

35-vjetori i PS në Vlorë/ Rama mbledh socialistët në Sheshin e Flamurit: Investimi 4 miliardë dollarë në Zvërnec do të jetë bekim për gjithë Shqipërinë