Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht për protestat gjithnjë e në rritje kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec dhe dhunës së pajustifikueshme që një grup rojesh private udhtruan dje ndaj disa protestusve. 

Përmes rrjeteve sociale, kreu i qeverisë lajmëron se nesër në orën 10:00 do të mbajë një komunikim live për të sqaruar të gjitha aludimet mbi resortin që planifikohet të ndërtohet në Zvërnec.

Gjithashtu, ai përgëzon kryepolicin e Përgjithshëm, Skëndër Hita, për faktin që pezulloi drejtorin e policisë së Vlorës, si dhe për vënien nën hetim të zinxhirit komandues të bluve në qytetin bregdetar, pas indiferencës që treguan teksa para syve të tyre disa roje private dhunonin protestues.

Reagimi i Edi Ramës:

Nesër e kam radhën unë për të folur për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për të cilin punohet prej disa vitesh tanimë dhe i cili nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha, që janë hedhur në qarkullim ditët e fundit. Ndërkohë e përgëzoj lidershipin e Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë e të saktë, qoftë ndaj atij grushti muskujsh pa tru me statusin e rojeve private të sigurisë, qoftë ndaj drejtuesve vendorë të policisë së Vlorës. Qasja e re e tolerancës zero ndaj çdo uniforme blu që cënon besimin e publikut, është e duhura. *Për vetë projektin dhe të vërtetat e të pavërtetat rreth tij, më shumë nesër në 10.00. Live për të gjithë të interesuarit natyrisht.