TIRANE- Shoqata e ambientalistëve shqiptarë ka zhvilluar sot një protestë para selisë së kryeministrisë kundër sjelljes së armeve kimike të Sirisë në Shqipëri për t’u shkatërruar.

Protestuesit kanë ngritur zërin me thirrjet "Duam të jetojmë", për moslejimin e shkatërrimit të këtyre armëve në vendin tonë, pasi kjo përbën rrezik për shëndetin e qytetarëve. Në fjalën e tij, Sazan Guri tha se “Jemi kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri. Shëndeti i familjeve është i rëndësishëm. Shqipëria nuk është kosh plehrash i Europës”.

Ndërsa, aktivistja siriane në Shqipëri tha se “Edhe une jam kundër ardhjes së armëve kimike këtu. Kam ardhur si shqiptare, jo si siriane, jam me ju”.

Analisti Mustafa Nano u ndal tek premtimet e qeverisë së sotme gjatë fushatës elektorale për moslejimin e importit të mbetjeve në vendin tonë. "Unë nuk e kuptoj pse Shqipëria", tha Nano.

“Përpara zgjedhjeve, opozita e atëhershme që sot është mazhorancë, ngriti zërin kundër importiti të mbetjeve dhe është logjikë e çmendur të na kërkojnë të pranojmë mbetje kimike”, shtoi Mustafa Nano.

Ndërsa, gazetarja e “Shqiptarja.com”, Magdalena Alla, gjatë kësaj proteste ngriti zërin për më shumë ndërgjegjësim të faktorit politik, por dhe atij qytetar, për të mos lejuar importin e armëve kimike në Shqipëri.

“Besoj se shpreh zërin qytetar të shumë shqiptarëve, që kanë si shprehje 'më mirë mirë të hash një vakt bukë', se sa ajër me helm. Ne shqiptarët jemi boll të helmuar prej karburantit të keq, që qeveria e mëparshme e ka lënë kinse ashtu. Kemi mbi 4500 të vdekur nga kanceri në vit, a mund të vuajnë më shqiptarët edhe nga kimikatet?". Gazetarja Alla i ka bërë thirrje zotit Rama, i cili sipas saj e tregoi dëshirën e tij për një Shqipëri të pastër që në ditën e parë të ardhjes në krye të qeverisë me ndalimin e importit të mbetjeve, që të fitojë sërish vullneti i tij i fuqishëm mbi çdo lloj interesash për mos shkaktuar vrasje kolektive”.

Protestues të tjerë folën të irrituar, që plehrat të çohen në Rusi, aty nga janë nisur e jo të vijnë në Shqipërinë që pretedon të bëhet turistike dhe po e rrit imazhin e saj me mundim nga viti në vit: "Shqipëri turistike, jo Shqipëri me armë kimike". 

Protesta nga Kryeministria u zhvendos përpara Kuvendit, ku protestuesit i bënë thirrje kreut të Kuvendit Ilir Meta, deputetëve, duke u kujtuar se janë shërbëtorë të popullit, që nëse lajthit qeveria, të mos lajthisin ata. E nëse lajthisin ata, nuk lajthit populli. "Nuk do t'i lëmë", "nuk do t'i lëmë" qenë thirrjet popullore nga turma, e cila bëri thirrje që gjithë njerëzit të zgjohen e të grumbullohen për çështje të tilla madhore. Nuk mungonin në këtë protestë as pensionistë, as fëmijë. Pensionistë të ndryshëm bënë thirrje, madje ndonjë dhe duke u përlotur, që "shteti të kujdeset të paktën për nipërit dhe mbesat tanë, pa ne tani po vdesim".

"Jemi në një vend plot me vajza dhe gra me kancer gjiri apo me kancer të qafës së mitrës. Mos i shtoni më të sëmurët në këtë vend", tha një tjetër pensioniste. Ndërsa një tjetër do të shtonte, se "edhe ajrin duan të na e marrin, pa mirë gjithë të tjerat që na i kanë marrë".

Protestuesit falenderuan mediat si mbështetëset kryesore dhe pjesëmarrësit, duke paralajmëruar se do mblidhen sërish.

Redaksia Online
(e.s/mag/shqiptarja.com)