Protestuesit, me pankarta në duar ku shkruhej “Jo gjinorizimit të fëmijëve” dhe “Ka vetëm dy gjini: mashkull e femër”, kundërshtojnë projektligjin, duke e cilësuar atë si një kërcënim për familjen tradicionale.

“Ideologjia gjinor do të edukohet në shkollat parauniversitare, organizatat LGTB do të shkojnë në shkolla dhe do u thonë mbase jeni vajza ne trupa të gabuara. Ne u themi mos miratoni ligjin që  prek familjen. Ata kanë përmendur fjalën gjithëpërfshirës, por nuk ka asgjë tjetër përveç se burrit edhe gruas. Ata kane edhe një nen për barazinë gjinore ne sport. Nuk mund të luajnë bashkë burra gra trasgjinorë”, tha pastori Akil Pano.

Pavarësisht disa ndryshimeve në nenin 4, që mazhoranca thotë se qartëson gjininë si burrë dhe grua, sipas organizatorëve të “Koalicionit Pro Familjes dhe Jetës”, projektligji krijon hapësira për abuzime dhe bie ndesh me familjen tradicionale shqiptare. Ata paralajmëruan sërish protesta.

Në të njëjtën linjë kundërshtie janë shprehur edhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, dhe Arqipeshkvi i Shkodrës, Giovanni Peragine, gjatë një takimi për 35-vjetorin e lirisë së besimit, u shprehën të unifikuar kundër ligjit për barazinë gjinore.

Edhe Myftiu i Vlorës, Adrit Hoxhllaku, u ka bërë thirrje deputetëve që të votojnë me ndërgjegje morale dhe të mos marrin vendime që bien ndesh me vlerat fetare dhe shoqërore të vendit.