TIRANE - Në shenjë proteste kundër ndërtimit të 5 HEC-eve në kanionin e Langaricës, një grup qytetarësh dhe ambientalistësh kanë protestuar pranë Kryeministrisë, duke kërkuar anullimin e koncesioneve dhe mbrojtjen e këtij lumi dhe bukurive të saj natyrore.

Qytetarët shprehen se protestat do të vijojnë deri në anulimin përfundimtar të koncesioneve, në kushtet kur në të kundërt, ndërtimi i tyre do të shkatërronte vijën ujore të këtij lumi, duke e tkurrur në mënyrë të ndjeshme, por po ashtu do të dëmtonte të tërë ekosistemin natyror, të përbërë nga disa shpella, një sërë banjash termale, si ajo e Bënjës si dhe do të bënte të pamundur sportin e Raftingut në kanion për të cilin çdo vit vijnë dhjetëra turistë.

"Pas pezullimit që është bërë në lidhje me 5 HEC-et të cilat duan të grabisin lumin e Langaricës, kërkojmë shfuqizimin e konçensioneve, në të kundër do të vijojmë protesta." tha Kondi Ilia

"Këtu është tuneli 4km që merren 5 mije - 8 mije litra ujë në sekondë dhe në lumin e Langaricës lejohen të kalojnë 200 litra në sekondë. Kemi shpella parahistorike, e gjithë kjo bukuri natyrore nesër nuk do të ekzistoje më." shprehet Sazan Guri

Projektet për ndërtimin e hidrocentraleve janë pezulluar aktualisht, teksa një grup pune nga Ministria e Energjitikës dhe ajo e Mjedisit ka vizituar terrenin dhe punimet që po kryhen atje.

Në këtë zonë ndodhen dy monumente të mbrojtura të natyrës, Banja e Bënjës dhe Kanioni Langaricës teksa zona në komunën Petranë është shpallur park kombëtar. Leja koncesionare është dhënë në vitin 2012 nga qeveria shkuar. Ndërkohë protestuesit kanë firmosur dhe një peticion që do ti dorëzohet Kryeministrit Rama.

protesta

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)