Tre tregtarë që ushtrojnë aktivitetin prej vitesh pranë tregut të madh të Vlorës janë shoqëruar në polici pas protestës së zhvilluar para Bashkisë së Vlorës. Sipas tyre, shoqërimi është bërë me pretendimin se kanë hyrë me forcë në ambientet e bashkisë dhe se kanë organizuar protestën kundër institucionit vendor.

Rushit Velaj dhe Amarildo Dule shprehen se nuk janë informuar për arsyen e thirrjes në polici dhe se vetëm më pas u është komunikuar se konsideroheshin organizatorë të protestës dhe se dyshohej se kishin shtyrë efektivët e policisë.

“ Kërkoj të drejtën time. Unë shes në treg. Nuk na kanë caktuar një vend. Jam baba i 3 fëmijëve. Kam 500 halle. Jam me 2 kredi, me shtëpi me qera, me drita dhe ujë të papaguara. Më hodhën në rrugë. Më shoqëruan pse jam futur në Bashki. Unë nuk vrava njeri e as preva njeri. Nuk jam futur me qëllim për të lënduar njeri. I gjithë tregu ishte në Bashki. Paguajmë taksa prej 30 vjetësh” tha Amarildo Dule për mikrofonin e Report TV

“Kam mbi 40 vjet që punoj në tregun ambulant. Sapo kam dalë nga policia. Isha në arrest. Më morën rreth orës 2. Më njoftoi një oficer i Vlorës. Unë kam protestuar më dt 18. 300 veta shkuan në Bashki për të takuar Brunën për të qarë hallet tona. Brenda më mbajtën 4 orë, 2 orë në qeli. Unë s’kam bërë asgjë “tha Rushit Velaj nga Vlora

Të dy tregtarët deklarojnë se prej shumë vitesh punojnë në treg dhe se arsyeja e protestës lidhej me kërkesën e tyre për një zgjidhje përfundimtare për sistemimin e tregut brenda qytetit.

Sipas tyre, në protestë morën pjesë më shumë se 200 tregtarë, të cilët kërkojnë të vijojnë aktivitetin e tyre dhe të sigurojnë të ardhurat për familjet që mbajnë me këtë punë.