Një grup i vogël qytetarësh u mblodhën në protestë para godinës së Kryeministrisë, ku u përplasën me efektivët e Policisë.

Policia ndërhyri për të zhvendosur protestuesit nga bulevardi Dëshmorët e Kombit në trotuar, për të liruar rrugën dhe për të mundësuar qarkullimin e automjeteve në zbatim të aktit normative.

Por, efektivët hasën në kundërshtimin e protestuesve, të cilët u përplasën me policët. Këta të fundit arritën t’i zhvendosnin në trotuar.

Një protestuese e moshuar festoi edhe ditëlindjen në bulevard, ndërsa grupi rreth saj i këndoi këngën dhe e surprizuan me një tortë.

Më pas, protestuesit nisën marshimin nëpër Tiranë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:37
Protestuesit nisin marshimin nëpër Tiranë

Protestuesit kanë lënë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe po marshojnë në rrugët e Tiranës.

Ata mbajnë edhe një banderolë ku shkruhet fjala “Policë” dhe sipër i është vënë një kryq dhe krah saj, “Dhunues”.

Në anën tjetër të banderolës shkruhet “28 nëntor”.

Ora 20:23
‘Edhe 100 nonës së protestës’, e moshuara feston ditëlindjen në bulevard (VIDEO)

Një protestuese e moshuar ka festuar ditëlindjen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ajo është rrethuar nga protestues të tjerë që i këndojnë këngën e ditëlindjes, ndërsa dikush mban tortën ku shihen qirinjtë me numrin “20”.

“Edhe 100 nonës së protestës!”, shkruhet mbi tortë.

Me të fryrë qirinjtë, protestuesja shpreh edhe dëshirën: “Inshallah e hedhim”, duke iu referuar kërkesës për largimin e kryeministrit Edi Rama.