Një grup protestuesish, pjesë e dhunës dhe kaosit nëpër qytet, u fshehën në selinë e PD-së për t’i shpëtuar kapjes nga policia, dhe prej aty sulmuan me molotovë. Ata u strehuan në ambientet e brendshme të PD-së.

***

Një grup personash të maskuar policia po e ndiqte që nga bulevardi dëshmorët e kombit. Ata morën drejtimin për nga unaza drejt Rrugës së Elbasanit. Para selisë së PD-së ndalen dhe nisin sulmet ndaj policisë, që po i ndiqte në këmbë, dy autobot uji dhe disa makina të forcave të rendit. 

Policia përgjigjet me ujë. Menjëherë fshihen në oborrin e PD, e për tu siguruar se policia nuk do hynte, mbyllin vetë edhe kangjellën lëvizëse në hyrje të selisë. Nga aty, fshehur pas gjelbërimit të gardhit, lëshojnë një breshëri molotovësh, që kap koshat në rrugë, makinat dhe forcat e policisë.

1792354101_protestatkunderqeverise.jpg

Momenti kur protestuesit hedhin molotov nga hyrja e selisë së PD

Sulmi i dhunshëm nga brenda oborrit të PD-së rrezikoi seriozisht edhe operatorin e Report Tv, i cili ishte në transmetim të drejtpërdrejtë me gazetaren Eliza Gjediku për çfarë po ndodhte aty.

“Nga patrullimet në terren për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, sqarojmë se: Shërbimet e Policisë janë sulmuar me molotovë nga një grup personash të dhunshëm dhe të maskuar, të cilët, për t’i shpëtuar ndjekjes dhe kapjes nga ana e Policisë, u futën në ambientet e jashtme të selisë së subjektit politik Partia Demokratike dhe vijuan sulmin ndaj punonjësve të Policisë.

Shërbimet e Policisë iu përgjigjën sulmit me molotovë nga ana e protestuesve të dhunshëm me gaz lotsjellës. Të gjitha pretendimet e tjera janë të pavërteta, të qëllimshme dhe dashakeqe, me qëllim fshehjen e së vërtetës”, deklaroi Policia.

Ndaj, policia sqaron se sulmit me molotovë nga ana e protestuesve të dhunshëm, iu përgjigjën me gaz lotsjellës. Pas sulmit, ky grup gjeti strehë brenda në selinë e PD-së. Report Tv arriti të filmojë në mes të kaosit, pamjet e tyre, në katin e dytë të shtëpisë së demokratëve.

Të mitur me kapuç të zi si maskë mbi kokë, të tjerë me syze të errëta, njëri me kapuç dhe me maskë mjekësore në fytyrë, i cili hap në një moment grilën e vetratës për të kontrolluar nëse policia është ende aty.

1792358466_1792354196protestatkunderqeverise.jpg

Protestuesit e maskuar në katin e dytë të selisë së PD

Pak kalon, dhe si për të fshehur atë që kamera dukshëm e filmoi, në katin e dytë të  godinës, fiken dritat. Të parët, deputetët që gjendeshin aty, dolën për tu përballur me policinë pse po hidhej gaz në selinë e PD-së, duke mohuar njëkohësisht që brenda godinës të kishin fshehur grupin e sulmit ndaj policisë.

Pyetje: A kishte të mitur në selinë e PD-së?

Belind Këlliçi: Nuk ka asnjë të mitur në selinë e Partisë Demokratike. Ka anëtarë të Forumit Rinor, anëtarë të Partisë Demokratike dhe zyrtarë të lartë.

Pyetje: Zoti Këlliçi, pse u fikën dritat në katin e dytë të PD-së?

Belind Këlliçi: Ka qenë një kaos.

Sali Berisha erdhi me shpejtësi në seli. Foli për një skenar të policisë për të justifikuar një sulm ndaj selisë së saj

“Policia në mënyrën më hakmarrëse, më të turpshme, më kriminale, dhunon territorin e partisë opozitare, Partisë Demokratike, në shkelje të rëndë të ligjeve dhe kushtetutës”, tha Berisha.

Berisha nxori zbuluar edhe deputetët e tij, kur para kamerave tha se: “I përgëzoj demokratët që I strehuan, … Çdo i mitur që sulmohet është i mirëpritur dhe do mbrohet në përputhje me ligjet nga Partia Demokratike.

Por pyetjeve të gazetarëve se bëhej fjalë dhe për të rritur me maska, Berisha dha një përgjigje të sforcuar.

“Nuk e përjashtoj, ta them, nuk e di, nuk e di, që të jem i drejtë. Po maska kanë të gjithë njerëzit sot për shkak të gazit. Sot ka gaz, këta janë të çmendur.”

Por Policia tha se “të gjitha pretendimet e tjera janë të pavërteta, të qëllimshme dhe dashakeqe, me qëllim fshehjen e së vërtetës”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:13
PD strehë për protestuesit e maskuar, Berisha mesazh strukturave: Dështoi skenari i Ramës për sulm ndaj selisë sonë! Nesër protesta para komisariateve

1790344293_seliaepd.JPG

Pasi selia e Partisë Demokratike u kthye në strehë për protestuesit e maskuar që sulmuan policinë me molotovë, Sali Berisha u ka dërguar një mesazh strukturave të partisë.

Berisha pretendon se ka dështuar një skenar i kryeministrit Edi Rama për të nxitur sulme ndaj selisë së PD-së. Berisha del hapur në mbështetje të selisë, duke nxitur nesër edhe protesta para komisariateve.

Mesazh i plotë

Për Kryesinë e PD, drejtuesit politikë të qarqeve, deputetët, kryetarët e degëve, anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike.

Përshëndetje,

Mosbindja civile njohu sot përmasa të reja. Skenari i regjimit për të shmangur sulmet ndaj Kryeministrisë, duke i zëvendësuar ato me sulmin ndaj Selisë së PD dhe PS (de fakto ndaj PD), ndonëse e kishin marrë përsipër çirakët e tij në revoltë, dështoi me turp. Protestuesit refuzuan vendosmërisht të sulmonin selinë e PD.

Mottoja e ditës së nesërme duhet të jetë solidaritet: solidaritet kombëtar me revoltën studentore në Tiranë.

Nesër është me rëndësi shumë të madhe të mbështetet masivisht greva e përgjithshme e universiteteve dhe shkollave të mesme në të gjitha qytetet dhe degët e PD. Së bashku me të rinjtë, të hidhen në protestë para bashkive të partisë së krimit, komisariateve dhe prefekturave të gjithë anëtarët, mbështetësit tanë dhe qytetarët!

Përshëndetje të përzemërta, me respekt,

Sali Berisha

Ora 22:41
Report Tv sjell pamjet, ja protestuesit me maska brenda në selinë e PD! Njëri ndez molotov dhe ia hedh policëve, të tjerë brenda në zyra (VIDEO)

Report Tv sjell këto pamje që tregojnë qartë se si protestuesit e maskuar janë strehuar brenda në selinë e Partisë Demokratike.

Siç shihet në pamje, një grup protestuesish me maska janë në oborrin e jashtëm të selisë, ata dallohet teksa futen brenda, ndërsa një tjetër, i veshur totalisht me të zeza ndez një bombë molotov dhe e hedh jashtë për të shënjestruar policët.

Të tjerë protestues me maska dallohen fiks në derën e selisë, ndërsa të tjerë janë brenda në ambientet e selisë.

Ora 21:25
Protestues të maskuar në selinë e PD-së, Berisha pranon strehimin e të miturve: Janë të mirëpritur, do t’i mbrojmë!

I pyetur për praninë e protestuesve të maskuar dhe të miturve në selinë e PD-së, Berisha pranoi se mund të jenë strehuar aty, duke deklaruar se çdo i mitur që ndiqet nga policia është i mirëpritur dhe do të marrë mbrojtje.

Sot njeriu që po përpiqet të përzgjedhë vendin e azilit politik dhe i them këtu para shqiptarëve se, vendi i azilit do të jetë qelia e burgut për Edi Ramë.

Çfarë kishte planifikuar? Sot përhap nëpërmjet rrjetit të tij brenda në protestë, përhap lajmin se kryeministrinë nuk e marrin dot, dhe duhet të sulmohen dy selitë e partive të mëdha.

Për këtë qëllim ai mori dhe futi në selinë e partisë së tij 3 inspektoriate, banditë nga kartelet e drogës, të armatosur, të pajisur me hunj dhe mjete të tjera. I dështoi.

Pse i dështoi? Sepse puthadorët e Ramës në këtë lëvizje nuk i ndoqi njeri. Jo i thanë, nuk kemi asnjë punë, ata janë në protestë me ne dhe ne nuk vijmë.

Dështoi të sillte protestuesit që shprehnin urrejtjen ndaj partisë së krimit, sigurisht që ata nuk kishin pse vinin. Dhe i dështoi projekti.

Tani që i dështoi projekti, i kemi me prova, përpiqen, bëjnë përpjekjen e dytë që kjo seli e PD-së do sulmohej nga ora 8:30 në orën 9:30.

Përsëri njerëzit e vërtetë të protestës që janë shumica dërrmuese nuk mund të manipuloheshin dhe jagot e Edi Ramës në lëvizje, e braktisën masivisht.

Kjo është një rrugëkalim siç e dini, dhe këtu për shkak të pozicionit të ndërtesës, parlamentit, këtu ndodh dy-tre herë në ditë kalojnë, normale.

Por kësaj here, kur dështuan, ora erdhi dhe ata të cilët domethënë, në këtë skenar nuk po realizohej, policia në mënyrën më hakmarrëse, më të turpshme, më kriminale, dhunon territorin e partisë opozitare, Partisë Demokratike, në shkelje të rëndë të ligjeve dhe kushtetutës.

Jo vetëm që hedhin sasi të stërmëdha bombulash gazi pa patur absolutisht asnjë lloj motivi, vetëm reprezalje ndaj Partisë Demokratike për dështimin e skenarit të tyre.

Sasitë e gazit kanë qenë kolosale, kanë sëmurë njerëz këtu, i kanë helmuar njerëzit, dhe ju e patë vetë.

Nuk ka patur asnjë tentativë, asnjë përpjekje nga asnjë protestues që të kryejë aktin më të vogël ndaj kësaj selie. Në këtë kuadër, paralajmëroj Edi Ramën, se me skenarë të tillë, me puçistë të cilët ne i kemi paralajmëruar, ua kemi dërguar paralajmërimin… se do mbahen personalisht përgjegjës si manipulatorë të shpifur në duart e Edi Ramës që bëjnë gjithçka brenda protestës, kundër protestës.

Paralajmëroj Edi Ramën se demokratët janë në këmbë më shumë se kurrë, janë në mosbindje civile më shumë se kurrë dhe janë jo vetëm në Tiranë, por janë edhe do jenë nga Saranda, Delvina, në Tropojë.

Në të katër anët e vendit, regjimi do të dridhet, regjimi nuk ka më paqe dhe qetësi. Nesër është një ditë e mrekullueshme, një ditë mosbindje civile në mbarë vendin.

Pyetje: Zoti Berisha, ju sapo folët për një skenar për të sulmuar selinë e Partisë Demokratike? Ndërkohë nga ana tjetër ka një pretendim nga policia se në selinë blu ishin fshehur persona të maskuar dhe të armatosur, ndaj për këtë arsye dhe policia ka qëlluar me gaz.

Sali Berisha: Çdo i mitur që sulmohet është i mirëpritur dhe do mbrohet në përputhje me ligjet nga Partia Demokratike. Mbrojtja e të miturit është detyrë themelore e çdo të rrituri. Ata që sulmojnë të miturit, ata shkelin ligjet dhe kushtetutën e vendit. Unë nuk isha i informuar me këtë, por unë i përgëzoj demokratët që i kanë marrë në mbrojtje ata dhe do t’i marrin në mbrojtje, sepse ky është një narkoshtet që sulmon të miturit. A mund ta imagjinoni ju vetë se çfarë janë këta?

Pyetje: Keni patur persona të maskuar zoti Berisha? Se ka dy pretendime policia, jo vetëm të mitur por edhe persona me maska.

Sali Berisha: Tani, ju mund ta thoni këtë edhe… nuk e përjashtoj, ta them, nuk e di, nuk e di, që të jem i drejtë. Po maska kanë të gjithë njerëzit sot për shkak të gazit. Sot ka gaz, këta janë të çmendur.

Këta janë njerëz janë kriminelë. A e keni parë si sillen, sillen si lopë të çmendura, si kafshë të çmendura sillen ndaj protestuesve. Dhe maskë edhe ju secili ju këshilloj që edhe ju secili prej jush të mbani maskë për t’u mbrojtur. Për t’u mbrojtur nga gazi që hedhin, një gaz toksik që hedhin kudo.

Tani imagjino ti, këtu në oborr, që është ambient i hapur, njerëzit nuk frynin dot nga gazi. Kishin hedhur aq shumë gaz në oborr në fillim saqë edhe u sëmurën, i mori ambulanca. Ndaj dhe ata, pse vijnë të miturit, mirë se të vijnë dhe ata do gjejnë këtu mbrojtje, do gjejnë të gjithë mbështetjen për çdo nevojë që të kenë. S’mund të kenë asnjë pasojë.

Pyetje: Pse në selinë e Partisë Demokratike kishte shumë njerëz duke patur parasysh se nuk kishte asnjë aktivitet politik?

Sali Berisha: Bravo. Absolutisht kishte shumë njerëz pikërisht për atë skenarin që unë njoftova. Dhe do ketë. Ne e monitorojmë. Ne e monitorojmë atë. Jagot e Ramës në protestë, ne i monitorojmë.

Pyetje: Zoti Berisha, ka selia e Partisë Demokratike një mori kamerash me rezolucion të lartë, të ulët, të gjitha kamerat. A do ja vini në dispozicion prokurorisë për të rrëzuar pretendimet e policisë?

Sali Berisha: Tani, ne që ta dini ju, bravo. Që ta dini ju, ne kemi një seri, kemi ngritur një seri padish pranë SPAK-ut të partisë, për tortura shtetërore, për krime kundër personit që mund të ngjiten në krime kundër njerëzimit, ndaj Ervin Demos, Skënder Hitajt, qoftë edhe një kryebandit i njërit prej komisariateve, drejtori i Tiranës, po edhe në komisariate është njëri prej tyre Hasrama, po.

Pra, janë një bandë, këta të seleksionuar nga Rama, Lubia, ju e morët vesh që ata bëjnë mbledhje çdo ditë tek ‘Vila e kuqe’. Ku kupola e krimit, e Partisë Socialiste dhe qeverisë: Edi Rama, Taulant Bego Yaris, Lubi Balluku, Oltion Bistri dhe disa elementë të tjerë, janë bërë shtabi i zi i represionit të protestës.

Kështu që, nuk ka diskutim që do t’i ngremë të gjitha dhe janë dërguar një seri padish, ne kemi shpallur… Ju një gjë duhet të dini. Atë që shpallim ne e qëndrojmë. Ajo që kemi shpallur ne është kjo: Një, ne mbështesim me të gjithë potencialin tonë këtë protestë, dhe ju garantoj se nga ora 8 e mëngjesit që fillojnë detyrat, gjer në orën 3 të mesnatës, në komisariatet e policisë, demokratët, deputetët, anëtarët e forumit rinor, drejtues, janë në mbështetje të kësaj proteste.

Parimi i dytë, ne do të mbrojmë studentët dhe gjimnazistët. Dhe ne jemi në mbrojtje të tyre me të gjithë potencialin tonë.

Këto të dyja janë qëndrimet tona të pandryshueshme dhe këtu qëndrojmë ne, deri ditën e shporrjes të këtij narkodiktatori, që tani ka filluar… jo dua ato kushte për të dhënë dorëheqje, jo s’dua ato kushte, i them, harroje! Se një nga kushtet kryesore është dorëheqja e tij e menjëhershme.

Dy, zhbllokimi, krijimi i qeverisë kujdestare për zgjedhje të lira e të ndershme dhe reforma zgjedhore. Dhe zhbllokimi i të gjitha kërkesave të drejtësisë për arreste, për veprën penale të korrupsionit.

Pyetje: Pra zoti Berisha do ia vini në dispozicion pamjet nga selia e Partisë Demokratike kamerat e sigurisë.

Sali Berisha: Sigurisht po, sigurisht po i kërkoi prokuroria pa diskutim. Po ne nuk kemi, nuk bllokojmë drejtësinë ne. Ne në qoftë se i drejtohemi, po ata i bllokon Edi Rama, ju e keni parë, ata janë skandal.

Sot po shihja unë, e njihni ju një prokurore Millonai? E njihni një, simotrën siameze të Taulant Ballës. Nipi i saj student në institutin e policisë, në kundërshtim me çdo rregull, në Spitalin Ushtarak dhe ndalonte deputetët tanë që kujdesen për të sëmurë.

Shiko, këtu është një konglomerat krimi, shtetëror, krimi i karteleve të drogës, por që kësaj here shqiptarët do t’i japin vendin që meriton.

Dhe e paralajmëroj Edi Ramën, ka kryer krim të shëmtuar, ka dhunuar me policë, me narkobanditë selinë e Partisë Demokratike, do jetë përgjegjës për çdo akt.

Asgjë s’na lëkund ne, as këto akte, as skenarët e tjera, as kryebanditët e tij e atij që bën shërbëtorin e shpifur të Edi Ramës, opozitë e opozitës që fusnin Shkodrën për të thyer dyert e selisë.

Asgjë, ne qëndrojmë në këtë protestë dhe do qëndrojmë deri në minutën e fundit të triumfit të saj.

Ora 20:35
PD strehë për protestuesit e maskuar, Këlliçi: Ishin anëtarë të FRPD, dritat në seli u fikën se ishte kaos! Por Berisha e nxori blof

Në selinë e PD u strehuan protestues me molotovë që sulmonin policinë. Sapo forcat blu arritën aty dhe hodhën gaz ndaj protetsuesve, në oborr u shfaqën deputetët demokratë Enno Bozdo dhe Belind Këlliçi të cilët mohuan se në selinë e PD-së ishin strehuar protestuesit e maskuar që sulmuan policinë me molotovë. Por, vetëm pak minuta më pas ishte vetë Berisha që e pranoi, madje duke përgëzuar demokratët që i strehuan.

Sipas deputetëve demokratë, në godinë ndodheshin vetëm anëtarë dhe zyrtarë të Partisë Demokratike e të Forumit Rinor, porn ë fakt pamjet tregojnë qartë se si protestuesit futen brenda selisë së PD, madje të tjerë ishin edhe brenda zyrave.

I pyetur nga gazetarët për fikjen e dritave në katin e dytë, ku kamerat kishin filmuar persona të maskuar, Këlliçi u justifikua duke thënë se kishte qenë kaos.

Pyetje: A kishte të mitur në selinë e PD-së?

Belind Këlliçi: Nuk ka asnjë të mitur në selinë e Partisë Demokratike. Ka anëtarë të Forumit Rinor, anëtarë të Partisë Demokratike dhe zyrtarë të lartë.

Pyetje: Zoti Këlliçi, pse u fikën dritat në katin e dytë të PD-së?

Belind Këlliçi: Ka qenë një kaos.

Gazetari: A kishte të mitur në selinë e PD-së?

Belind Këlliçi: Nuk ka asnjë të mitur në selinë e Partisë Demokratike. Ka anëtarë të Forumit Rinor, anëtarë të Partisë Demokratike dhe zyrtarë të lartë.

Deputetët pretenduan se me urdhër të Edi Ramës ishte planifikuar një sulm ndaj selisë së PD.

Belind Këlliçi: Demokratët kanë qenë në oborrin e tyre dhe befas, në një moment, jemi mbushur me gaz. Zyrtarë të lartë, deputetë, drejtues të partisë kanë qenë në ambientet e punës së Partisë Demokratike. Në momentin e parë që ka ndodhur kjo histori, kemi dalë disa deputetë jashtë për të kuptuar çfarë ka ndodhur dhe kemi parë vetëm forca policie. Kemi parë policë me skafandra, me mburoja, që vinin te hyrja e Partisë Demokratike dhe donin të hynin brenda.

Ndërkohë, po ju them me përgjegjësinë më të plotë që kemi rreth tri orë që jemi informuar se rreth orës 21:00, nga grupet e infiltruara dhe të manipuluara personalisht nga Edi Rama në protestë, do të tentohej të goditej dhe të sulmohej selia e Partisë Demokratike. Nuk e kemi bërë publike. Misionin që Edi Rama ua kishte ngarkuar disa të infiltruarve e mori përsipër Ervin Demo me Policinë e Shtetit dhe ka sjellë Policinë e Shtetit për të sulmuar selinë e Partisë Demokratike.

Enno Bozdo: S'kishte as protestues, asgjë. Sigurisht që ata do ta gjejnë arsyen duke thënë se hynë protestues. Nuk ka hyrë asnjë protestues këtu. Ishin vetëm njerëz të Partisë Demokratike. Ky është absolutisht një skenar shumë i turpshëm, i shëmtuar.

Kjo është e turpshme. Jua them unë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një parti kryesore opozitare të sulmohet me gaz e me dhunë, edhe me ata robokopët që rrinin atje dhe na tregonin mburojat. Kjo është e turpshme nga Policia e Shtetit. Të shkojnë të mbrojnë komisariatet dhe Ministrinë e Brendshme. Atë punë të bëjnë. Nuk kanë punë të merren me partinë opozitare dhe me Partinë Demokratike.

 

Ora 20:26
Të strehuar në selinë e PD/ Protestuesit sulm me bomba molotov makinave të Policisë, njëra shpërthen në këmbët e operatorit të Report Tv (VIDEO)

Protestuesit, nga selia e PD-së, kanë hedhur një sasi të madhe molotovi te Ura e Lanës, në drejtim të automjeteve të Policisë, mes të cilave edhe 2 autobotë uji. Një prej bombave molotov shpërtheu në këmbët e operatorit të Report Tv, i cili po filmonte në zonë.

Fatmirësisht operatori ka arritur të shpëtojë pa dëmtime, ndërkohë që personat që hodhën molotovë, në përpjekje për t'i shpëtuar ndjekjes së Policisë, u larguan në drejtime të ndryshme. 

Pas sulmit, protestuesit u strehuan sërish në selinë e Partisë Demokratike, për t'i shpëtuar ndjekjes së efektivëve të Policisë. Blutë u futën në oborrin e selisë së PD-së për disa momente, teksa ishin në ndjekje të protestuesve. Pas disa momentesh tensioni, efektivët u larguan nga selia dhe situata u kthye në normalitet

Gjatë këtyre 6 ditë protestë, persona të maskuar kanë sulmuar institucionet shtetërore, bankat, bizneset private dhe efektivët e policisë me bomba molotovë, gurë dhe sende të forta, duke shkaktuar një situatë kaosi në Tiranë.

SI.E./Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
1.0 / 5 (1 vlerësim)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 15 Tetor, 13:43

    A i mbështesni protestat e dhunshme në vend?