Pavarësisht deklaratave të përfaqësuesve të opozitës, se bllokimi i rrugëve nuk ka asnjë kosto për qytetarët, mesa duket kjo gjë nuk është aspak kështu.
 
Mësohet se 8 ambulanca me të sëmurë e kanë pasur të pamundur të shkojnë në spital për shkak të bllokimit të rrugëve nga protestuesit e PD.

Por një rast shumë i rëndë, dokumentuar nga kamerat e Report Tv, është regjistruar në hyrje të Tiranes afër rrethrrotullimit Shqiponja me një të sëmurë nga qyteti i Fierit që dërdohej me autoambulancë. Burimet bëjnë të ditur se i sëmuri, i identifikuar si Vladimir Sula 61 vjeç nga Fieri, ishte në gjendje të rëndë, por përfaqësues të PD kanë dyshuar për vërtetësinë e saj duke e menduar si një inskenim.

Për këtë arsye, një prej protestuesve të tyre ka hapur derën e ambulancës për të parë të sëmurin. Kjo gjë ka shkaktuar zemërim dhe tek familjarët e tij. Report Tv ju sjell video ekskluzive nga momenti i debatit të familjarëve me protestuesit e PD.  Por pavarësisht nga verifikimi, autoambulanca është bllokuar nga protestuesit e PD-së për 40 minuta. I pranishëm në Sheshin Shqiponja ishte edhe Lulzim Basha.  

Kush është pacienti i cili mbeti i bllokuar 40 min në trafik?
Vladimir Sula 61 vjeç nga qyteti i Fierit është i sëmuri i cili është përballur më një situatë shumë të vështirë teksa po transportohej në spital.
 
61- vjeçari kishte shembje në pjesë të ndryshme të trupit dhe ndodhej në gjendje të rëndë për jetë.

Ai ka mbetur i bllokuar për rreth 40 minuta në trafik, dhe vetëm pasi ka përfunduar protesta e opozitës dhe u zhbllokuan rrugët, Sula është dërguar në spitalin e Traumës ku iu nënshtrua një operacioni. 

Policia: U lirua rruga vetëm pasi bëmë thirrje me autoparlant 
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, policia njofton se zhbllokimi i rrugëve është bërë vetëm pasi Policia u ka bërë thirrje me autoparlant protestuesve të PD. 

Burime për Shqiptarja.com bëjnë të ditur se pavarësisht thirrjeve, është dashur dhe ndërhyrja e punonjësve të policisë për të negociuar më përfaqësues të opozitës që këta të fundit t’i bindnin protestuesit që t’i hapnin rrugën ambulancës.

Njoftimi i Policisë
Policia i bën thirrje me autopolant me qëllim zhbllokimin e rrugës pasi sot me datë 24.04.2017, ora 11:30, në aksin rrugor Casa Italia, në drejtim te Sheshi Shqiponja një ambulance e qytetit të Fierit me një të sëmurë rëndë ka ngelur në trafik. Forcat e policisë të qarkullimit rrugor po ndihmojnë t’i hapet rruga me qëllim shpëtimin e jetës të sëmurit rëndë. 

 
Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)