Protestuesit nuk kanë ndërmend të shpërndahen mbrëmjen e së hënës në Prishtinë. Pas disa orësh përplasjesh me Policinë dhe pasi u shtynë larg ndërtesave të institucioneve, ata janë rikthyer në numër të madh në sheshin "Skënderbeu", pranë Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, duke vijuar kërkesën për votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Bashkë me protestuesit janë kthyer pranë Kuvendit edhe deputetë të PDK-së dhe AAK-së, të cilët po kërkojnë që Vetëvendosje të rikthehet në sallë dhe projektligji të hidhet në votim në lexim të dytë.

Mes protestuesve dhe ndërtesave të Qeverisë e Kuvendit është vendosur një numër i madh efektivësh. Policia ka krijuar një kordon para hyrjes në perimetrin e dy institucioneve, por për momentin nuk po tenton ta shpërndajë sërish turmën.

Situata është qetësuar krahasuar me orët e mëparshme, kur protestuesit u përleshën me Policinë dhe u larguan nga "Skënderbeu" përmes sheshit "Nënë Tereza" deri në "Zahir Pajaziti". Policia përdori gaz lotsjellës, sprej dhe topa uji, ndërsa protestuesit hodhën mjete piroteknike dhe shishe.

Përplasjet lanë 12 persona që kërkuan ndihmë mjekësore, 11 civilë dhe një polic. Të gjithë janë liruar nga spitali dhe nuk janë në rrezik për jetën.


Lajmi kryesor:

Kosovë/ Protesta për ndryshimin e Ligjit për Specialen, Policia gaz lotsjellës e topa uji kundër protestuesve! 17 të lënduar, 6 prej tyre policë, arrestohet nipi i Thaçit! PDK-AAK në shesh (VIDEO + FOTO)