Pavarësisht se kryeministri Edi Rama nuk e ka opsion dorëheqjen, kreu i opozitës Sali Berisha thotë se ajo është e vetmja rrugë për t’i dhënë fund krizës dhe protestave që kanë mbërthyer vendin.
“Në këtë orë të historisë, çdo shqiptar midis narkoregjimit të urryer dhe studentëve, realisht liberatorë duhet të bëjë zgjedhjen e tij. Indiferenca është zgjedhja më e keqe. PD mbështet fuqishëm kërkesat e lëvizjes studentore. Dhe i kërkon Edi Ramës të japë menjëherë dorëheqjen”, tha Berisha.
Për Berishën të gjithë studentët dhe nxënësit duhet të bojkotojnë mësimin.
“U bëj thirrje të gjithë nxënësve, maturantëve në mbarë Shqipërinë të bojkotojnë mësimet, shkollën për të shpëtuar ëndrrën e tyre më të bukur. Për të shpëtuar të ardhmen e tyre”, tha Berisha.
Edhe pse shumë biznese private janë sulmuar dhe shkatërruar gjatë këtyre orëve Berisha thotë se ato duhet të bëhen me protestuesit.
“Mos bini viktimë e narkopropagandës. Këto vajza dhe djem, që po përballen si luanë me narkopolicinë, nuk e kanë vetëm për veten e tyre, e kanë për shoqërinë, por edhe për bizneset tuaja, për shtetin ligjor, për suksesin tuaj. Nuk është e drejtë që në Tiranë dhe në rrethe të derdhen dhjetëra mijëra të rinj kurse ti të mos shpallësh një grevë në solidaritet me ta. Sigurisht ke frikë nga sanksionet, por atij po i thyhen kockat, po i çahet kafka dhe po e bën për ty. Është e pafalshme indiferenca e bizneseve të vogla ndaj tyre, nuk mund të keni kurrë aleatë si ata”, vijoi kryedemokrati.
Ndërsa si gjithnjë, akuzoi se policia, ka ushtruar dhunë shtazore ndaj protestuesve.
“Edi Rama ndërtoi parajsën e tij mbi drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Ndërkohë, theksoj dhe njëherë, hodhi në flakë, në zjarr ëndrrat e mbi 47% të shqiptarëve që u detyruan të marrin rrugët e dheut nga varfëria dhe skamja e këtij vendi. Hodhi në zjarr, dogji me zjarr shpresat e një kombi, e shqiptarëve që vendi i tyre të bëhet. Dogji në flakë dhe zjarr qenien, vetë qenien shqiptare, e dëmtoi sa askush tjetër.Në reagimin e tij, pak të thuash shtazor, ndaj protestës paqësore të studentëve, theu kocka dhe çau kafka si askush tjetër ndaj tyre”, tha Berisha.
Më herët, grupi parlamentar i PD, doli me një deklaratë publike nga ku tha se deputetët e opozitës mbështesin protestën e studentëve dhe kërkuan vetëshpërndarjen e parlamentit.











Komente
Komento