Prova e madhe e SPAK

Prova e madhe e SPAK

Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi

Arrestimi i Jamarbër Malltezit dhe masa e sigurisë detyrim për paraqitje ndaj Sali Berishës përbëjnë ngjarjen më të rëndësishme të drejtësisë në 33 vitet e fundit në Shqipëri. Me urdhër të SPAK Malltezi u vu në pranga të shtunën nën akuzën korrupsion pasiv dhe pastrim parash për çështjen tashmë të njohur të privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”. Por përfshirja në të njëjtën dosje edhe të ish-kryeministrit Sali Berisha me akuzën shumë të rëndë korrupsion pasiv në bashkëpunim dhe me masat e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim për të udhëtuar jashtë Shqipërisë i jep kësaj çështje një dimension shumë më të madh. Që nga mbrëmja e 21 tetorit Shqipëria politike nuk do jetë më si më parë. Është goditur Sali Berisha, politikani dhe njeriu më i pushtetshëm i tranzicionit në Shqipëri, ose më saktë njeriu që e ka dominuar politikën në më shumë se tri dekada. Por pyetja normale në këtë situatë është se çdo sjellë kjo ngjarje e drejtësisë dhe këto arrestime për Shqipërinë?

Së pari, nëse është fajtor, apo jo, Jamarbër Malltezi këtë e vendos vetëm gjykata dhe askush nuk ka të drejtë të japë definicione se ai është i tillë. Në ditët dhe javët në vazhdim besohet se publiku do të njihet me të dhëna të dosjes, por vetëm gjykatat të të gjitha shkallëve janë ato që vendosin nëse ai është apo jo me faj.

Së dyti, padyshim që me këtë goditje SPAK konfirmoi që është një qendër e re graviteti në Shqipëri. Pavarësisht ndonjë interferimi, ky institucion është shndërruar tashmë në një kollonë beton-armeje që kryen veprime dhe goditje pa parë agjendën e politikës dhe pa e menduar shumë se kush është në dosje dhe çfarë përfaqëson ai. Steka e SPAK është ngritur aq lart saqë lokacioni “Rruga ‘Jordan Misja’, Nr 1, Tiranë 1000, Shqipëri” është adresa më e rëndësishme në vend. Jo vetëm me këtë goditje, por edhe shumë të tjera, ajo pjesë e korruptuar e klasës politikë duket më e tulatur se kurrë. Janë të pushtuar nga një frikë që deri më parë nuk ekzistonte. Ndërsa sot, ajo krekosja dhe fryrja si gjel e disa personazheve të krimbur në korrupsion, ia ka lënë vendin drithërimave se një ditë mund të përfundojnë në burg. Dhe kjo është padyshim fitoja më e madhe që është arritur në vendin tonë që pas rrëzimit të komunizimit.

Së treti, pas kësaj goditjeje padyshim që lufta politike në Shqipëri do të ashpërsohet. Deklaratat e Sali Berishës se kjo është diktaturë e Edi Ramës dhe se do të përfshinte Partinë Demokratike në të gjithë këtë aksion tregon se në ditët në vijim do të kemi jo vetëm përplasje deklaratash nëpërmjet mikrofonave. Gjasat janë që të kemi tensionim të situatës e cila mund të agravojë në eksese dhe në veprime të dhunshme. Është detyrë e institucioneve shtetërore që të mënaxhojnë me kujdes situatën në mënyrë që të mos ketë pasoja.

Së katërti, ky arrestim pritet të pasohet me betejën e radhës personale të Sali Berishës pas betejave me SHBA dhe Britaninë e Madhe për shpalljen e tij non grata. Nëse i referohemi deklaratave të bëra prej tij, që kjo do të ishte një sfidë, lënë të nënkuptojnë që Berisha do ta ketë këtë një betejë tjetër në karrierën e tij politike. Që sigurisht është më e forta, më e rënda dhe duke shtuar rrethanat, do ta kryejë kur kuotat e tij në politikë janë më të ultat. Pika më e dobët e Berishës në këtë situatë mbetet mungesa e mbështetjes ndërkombëtare dhe një Zot e di se si do tia dalë pa këtë mbështetje.

Së pesti, kjo do të jetë prova më e madhe e SPAK që nga themelimi i tij për arsye që tashmë kjo çështje nga opozita trajtohet si politikisht. Askush sot nuk mund të parashikojë se çdo ndodhë. Por, mund të themi se si do të  përfundojë kjo betejë ashtu do të jetë edhe autoriteti i SPAK. Nëse SPAK arrin të provojë akuzat në gjykatë, kjo do të jetë fitore për të. Në të kundërt ai do të jetë dështimi më i madh jo vetëm i këtij institucioni, por edhe i drejtësisë dhe në tërësi i reformës në drejtësi.

Së gjashti, tashmë çdokush që ka akuzuar SPAK se ka goditur vetëm majtas dhe jo djathtas padyshim që duhet të heshtë. Jo vetëm ky institucion, por drejtësia nuk punon dhe funksionon me planizime dhe me orientime. Rasti në fjalë pas arrestimeve dhe goditjeve të një radhë politikanësh të majtë tregon se SPAK nuk ka një agjendë, por veprimet i ka kryer mbi bazën e atyre që ka konkluduar për t’i bërë.

Së shtati, me këtë goditje SPAK tregoi se tashmë në Shqipëri nuk ka të paprekshëm. Politikanë të rangut nga më të lartë, kryeministra dhe ish-kryeministra, ministra dhe ish-ministra, kryebashkiakë dhe ish-kryebashkiakë, drejtorë dhe ish-drejtorë, biznesmenë dhe xhonglerë parash, të gjithë ata që kanë abuzuar nuk janë më “The untouchable-s”, por kandidatë për të provuar qelitë. Ky ëshë një sinjal i duhur për të gjithë ata të korruptuar, hajdutë dhe abuzues të financave të shtetit që kanë futur duart në arkën e shtetit. Padyshim ky rast do të jetë një digë e fortë parandaluese për të gjithë ata që kanë ideuar, menduar dhe planifikuar të vjedhin. Dhe do të ndikojë edhe për në të ardhmen që përpara se të kenë dëshirë të vjedhin, më parë duhet të kujtojnë prangat e SPAK.

Së teti, SPAK po tregon se ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, veçanërisht të SHBA-së. I gjithë ky guxim dhe kjo përballje ka një suport nga pas dhe është Ambasada Amerikane. Kjo është mbështetja më e madhe që një institucion ka patur dhe ka në Shqipëri në këto 33 vjet dhe kjo mbetet edhe garancia e madhe që drejtësia godet. Kjo mbështetje mbetet pengesë për të gjithë ata që e ndjejnë veten fajtorë dhe që mundohen me mënyra nga më të ndryshmet të ndërhyjnë për të përjashtuar veten nga goditjet e SPAK. Por deri më sot as nuk është parë dhe as besohet se këta fajtorë të pashpallur mund të gjejnë miq te SHBA. Kjo është garancia më e madhe që SPAK e ka rrugën e lirë për të bërë atë që drejtësia nuk ka arritur ta bëjë në tri dekada.

Së nënti, Partia Demokratike e Rithemelimit do të ketë një tjetër qasje dhe funksion pas këtij arresti. Ndërsa kazuat dhe betejat e saj ishin të përqendruara në disa çështje si ajo e fundit për refuzimin dhe ngritjen e disa komisioneve hetimore në parlament, tashmë kryeçështja e saj do të  jetë arrestimi i Jamarbër Malltezit dhe akoma më shumë masat e sigurisë ndaj Sali Berishës.

Së dhjeti, SPAK duhet të vijojë me goditje me dosjet që disponon veçanërisht ato që kanë interes të lartë për publikun për të treguar se kjo luftë ka fillur por nuk ka “the end”. Pirgu i dosjeve që janë aktualisht në këtë institucion duhet të marrin zgjidhje dhe të shkohet në gjykatë për të dhënë vendime definitive sa më të shpejta dhe të mos ketë zvarritje. Kjo do të knfirmojë se ky institucon punon pa agjendë poltiike. Në të gjithë artikulimin e Sali Berishës pas goditjes së SPAK fokusimi ishte se të gjithë këtë e ka përgatitur kryeministri Edi Rama dhe se kjo ishte goditje për të shkatërruar opozitën. Me vijimin e punës me dosje të tjera SPAK do ta lehtësojë veten e vet nga të tilla akuza duke e rritur besimin në sytë e publikut pavarësisht akuzave që hedhin politikanët e të dy krahëve.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • e drejta: 23/10/2023 11:48

    NESE ME PERPARA KISHA PAK SKEPTICIZEM PER SPAKUN, TANI MUND TE THEM BRAVO SPAKU. TANI KTHEHU EDHE NGA SKRAPARLLIU QE TA KOMPLETOSH PUNEN...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?