Kombëtarja ka siguruar edhe një miqësore të tretë para Euro 2024. Pasi zyrtarizuan përballjet kundër Kilit më 22 mars në Parma dhe kundër Suedisë tre ditë më pas në Stockholm, kuqezinjtë do përballen në një test gjeneral kundër Lihtenshajnit.
Federata e këtij vendi ka konfirmuar marrëveshjen mes palëve, teksa data dhe vendi i saktë ende nuk janë vendosur. Me gjasë takimi Shqipëri - Lihtenshajn do luhet më 4 qershor, dhjetë ditë para nisjes së Euro 2024.
"Në qershor, dy finalistë të Europianit do të duan të kontrollojnë formën e tyre kundër Lihtenshtejnit pak para fillimit të EURO 2024-ës. Fillimisht, në fillim të muajit në një vend dhe datë ende të pacaktuar, do të luajmë kundër Shqipërisë, më pas në 8 qershor në Bukuresht kundër Rumanisë”, thuhet në komunikatën e Federatës së Lihtenshtajnit.
Kujtojmë se në grupin B të "Gjermani 2024", Kombëtarja do përballet me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë.