Në përpjekje për të siguruar sa më shumë mbrojtje kundër Covid-19, në Mbretërinë e Bashkuar autoritetet shëndetësore kanë filluar tu injektojnë qytetarëve dy lloje vaksinash. Ideja është të sigurohet sa më shumë fleksibilitet me përdorimin e vaksinave dhe të ndihmohet në trajtimin e çdo ndërprerje të mundshme të furnizimeve. Ekspertët shëndetësore deklarojnë se përzierja e dozave mund të sigurojë mbrojtje edhe më të mirë.
Studimi Com-Cov, i drejtuar nga Konsorciumi Kombëtar i Vlerësimit të Programit të Imunizimit, do të përfshijë më shumë se 800 vullnetarë mbi moshën 50 vjeç. Disa do të marrin një dozë nga Oxford-AstraZeneca dhe pastaj një nga Pfizer-BioNTech ose anasjelltas - me katër ose 12 javë me diferencë.
Megjithatë në udhëzimet zyrtare nga Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI) theksohet se çdokush që i është dhënë tashmë një dozë e Pfizer-BioNTech ose Oxford-AstraZeneca duhet të marrë të njëjtën vaksinë për të dyja dozat.
Në rrethana shumë të rralla mund të përdoret një vaksinë e ndryshme - nëse është në dispozicion vetëm një vaksinë, ose nëse nuk dihet se cila është dhënë për dozën e parë.
Shkencëtarët kanë arsye të mira për të besuar se mënyra e re që po provohet mund të jetë e dobishme - disa programe të imunizimit në rastin e luftës kundër Ebola kanë përmirësuar ndjeshëm imunitetin.
Shkencëtarët do të monitorojnë vullnetarët për efekte anësore dhe do të mbajnë nën vëzhgim testet e gjakut për të parë se sa mirë reagojnë sistemet e tyre imune. Dhe megjithëse studimi i plotë do të vazhdojë për 13 muaj, shkencëtarët shpresojnë të jenë në gjendje të shpallin disa gjetje fillestare në qershor.