Janë zbardhur sot pjesë nga dosja për shkeljet me procedurën e tenderit të Llogarasë me fond limit 190 mln euro, ku u zbuluan bisedat mes zv.kryeministres Belinda Balluku me ish-kreun e ARRSH, Evis Berberi.
Ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv, mbrëmjen e sotme tha se veprimet e ministres përbëjnë vepra penale në bashkëpunim dhe se mund të ketë edhe një tjetër akuzë ndaj saj.
Karanxha tha se tenderi për ndërtimin e Llogarasë tregon hapur se ka pasur vjedhje.
‘Nuk është vetëm interesim nga ana e ministrisë për tenderin, por edhe veprim sepse i tha vartësit të saj anuloje dhe prandaj është vepër penale në bashkëpunim. Po është edhe shpallja e tenderit të dytë me një vlerë më të madhe se i pari dhe tregon se mbase jemi para një vepre tjetër. Nuk ka pasur konkurrim sepse fituesi ka qenë i paracaktuar. Kjo është pasuri publike rrija e vlerës është përfitim për veten dhe tjetrin. Mendoj se ka edhe akuzë vjedhje e pasurisë nga persona që duhet që ta ruajnë atë.
Pra janë veprime që vijën zinxhirë me njëra tjetrën që tregon se aty është vjedhur. Kompania turke ka fituar tenderin dhe punimet janë bërë nga Gjoka Construction dhe diferenca dyshohet se është vjedhje që është marr nga buxhetit, sa kohë Gjoka e bënte me 140 nuk mundet të thuash duhet ta bëjë dikush tjetër me një fond tjetër. Po e dinin mirë se ishte tek tenderi parë Gjoka po ashtu edhe tek tenderi i dytë’, tha ai.
Juristi Leonard Karaj, tha se biseda mes Ballukut dhe Berberit është një indicie që do të çojë SPAK tek provat.
Ai ka deklaruar se tuneli i Llogarasë u ndërtua pa leje.
‘Tenderi ka një fond limit dhe nuk ndryshon kur anulohet i pari nëse ka qenë 190 milionë euro aq ka mbetur. Në tenderin e parë Gjoka Construction gati ka qenë fitues dhe tek i dyti kompania turke ka fituar në kokë. Diferenca mes tenderit të parë dhe të dytë është 40 mln euro. U tha se ca pune ka ministria të merret me tenderin, të gjithë ministrat e kanë histori ia delegojnë sekretarit të Përgjithshëm, dhe ajo ja delegojë. Pse duhet t’i kërkojë llogari ajo Evis Berberit nëse ja ka kaluar Violës. Biseda është indicie që të çon tek prova, prova do të merret nga kjo indicie.
Ty të ka dalë Ahmetaj para një viti e ca dhe ka thënë që u prish tenderi që fitoi Gjoka dhe ditën tjetër, unë dhe Balluku shkuam në Ankara dhe mbyllëm tenderin e Llogarasë dhe tenderin e mori kompania turke. Po perla e kësja është se ti bënë një tender një punë publike madhore për jugun, pa leje ndërtimi. Tuneli i Llogarasë është ndërtuar pa leje ndërtimi. Zbardhja e lejes ka ndodhur më 28 maj 2025 kur kishin përfunduar punimet’, tha ai.
Për analistin Arben Meçe, duhet që të hetohet si u bë kalimi nga fondi i parë limit në fondin e dytë limit të tenderëve për ndërtimin e tunelit.
‘Tenderi i parë u ndërpre nga Balluku dhe më pas u hap tenderi i ri. Pra u shpall tenderi i dytë, fondi limit i tenderit të dytë është 190 mln euro. Prokuroria hetimin e parë që duhet të bëjë është kalimi nga fondi i parë limit në fondin e dytë limit. Nëse hetimi është ajo që nga 140 vajti 190, si u bë kapërcimi, nuk kemi hetime për këtë gjë. Vetëm thuhet 50 milionë janë zhdukur. Nuk jemi në çështjen e pabarazisë në tendera, por në vjedhje.
Jemi në një tender të kompromentuar dhe aktorët që marrin pjesë futen në vepër penale po nuk ka dokument që e vërteton që tenderi është i kompromentuar ministria mund të penalizohet për shpërdorim detyre’, tha ai.
Gazetari Kujtim Topuzi, tha se vartësit e zv.kryeministres Belinda Balluku, e dinin se kush do të ishte fituesi për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Ai tha se Balluku nxori fituese kompaninë turke për ndërtimin e tunelit.
‘Ajo që na ka rënë në dorë është njoftimi i akuzës për një prej të akuzuarve, jo rasti i Ballukut dhe as i Evis Berberit. Është dosja e akuzës për një të akuzuar tjetër por materialet ndërthuren. Janë komunikime me Ballukun dhe Berberin, sepse të akuzuarit e tjerë nuk kishin komunikime pothuajse fare. Faktet lidhen me mënyrën si i ka trajtuar të dy tenderat që nga tenderi i parë që ka marr informacione Balluku ka komunikuar çfarë bëhet me kriteret dhe jep edhe urdhrin që thotë anuloje urgjent. Del që Balluku ka ndikuar tek anulimi i tenderit. Balluku nxori fituese kompaninë turke.
Edhe prokurori e ka thënë në dosje, ku thotë që u ngrit akuza sepse jemi në kushtet kur mund të parashkruhet vepra penale e barazisë në tendera, por hetimet për vepra të tjera vijojë, pra edhe prokurori e ka lënë të hapur dhe thotë ishin të detyruar që të ngrinin një akuzë sepse parashkruhej vepra. Ka një komunikim në datën 1 tetor kur është shpallur fituesi dhe vartësit e Ballukut diskutojnë, njëra e pyet kush fitoi, ndërsa tjetra i thotë u shpall fituesi turku me Gjokën’, tha ai.
Komente












