Në Shërbimin e Pediatrisë së Specialiteteve pranë Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po zhvillohet një provë klinike me pika atropine me përqendrim të ulët për të ngadalësuar progresin e miopisë. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë përmes një postimi në rrjetet sociale.

Kjo provë klinike është një mundësi për të kontrolluar rritjen e numrit dhe për të parandaluar komplikacionet në të ardhmen. Ministria njofton se fëmijët 3–18 vjeç me miopi progresive mund të paraqiten deri më 31 mars 2026, për marrjen e medikamentit.

Drejtoresha e QSUNT, Anxhela Paparizo vizitoi nga afër Shërbimin e Pediatrisë së Specialiteteve ku zhvilloi edhe një takim me Dr. Eneda Balliun për këtë projekt.

"Ky projekt nuk zhvillohet vetëm në qendrën tonë, por zhvillohet edhe në tre qendra të Italisë në 3 të Anglisë, në një qendër të Polonisë dhe në tre qendra të Spanjës. Ka shumë fëmijë të cilët nuk i identifikojmë dot sepse jemi një qendër e vogël, por bëjmë apel për të gjithë okulistët që janë në rrethe që të adresojnë këtu fëmijët që plotësojnë kushtet për t’u përfshirë në këtë program.

Kushtet janë: nga mosha 3-18 vjeç, që kanë miopi që ka ardhur duke u rritur me kalimin e viteve, që kanë numër më të madh se 0.75, të mos ketë diferencë midis dy syve më shumë se 1.5, të mos jetë tensioni i syve më shumë se 21 dhe të mos ketë cilindër më shumë se 1.5 dhe të mos ketë xhama miopikë kontrollues”, tha Dr.Balliu.

Sipas saj, këta fëmijë të paraqiten në kabinet për të marrë medikamentin i cili ka rezultuar shumë efikas në kontrollimin e rritje së numrit të miopisë.