Gazetari dhe publicisti i njohur Namir Lapardhaja, ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare në Gjermani, në orët e para të mëngjesit. Lajmi është konfirmuar për gazetën “Tema” nga familjarët e gazetarit, i cili sot, ndryshe nga herët e tjera, nuk po përgjigjej më në telefon. Shkaku i vdekjes dyshohet të ketë qenë tromboza në zemër.
Vetëm pak ditë më parë, më 5 mars, ai festoi ditëlindjen e tij. Lapardhaja ishte një qytetar i angazhuar, publicist dhe kritik letrar, i cili shquhej për analizat e opinionet në media. Vetëm dy ditë më parë, Namir Lapardhaja publikoi edhe te Shqiptarja.com, editorialin e fundit me titull "T’i varësh Gaz Bardhit në qafë ndryshimet statuore".
Një djalë i kulturuar, mendjehapur, që rridhte nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist, ai ishte gjithashtu një kritik mendjehapur i ngërçit të së djathtës së sotme shqiptare dhe sidomos problemeve që përjeton opozita e sotme.
Ai ishte autor librash, esesh dhe një numri të madh artikujsh që do të mbeten trashëgimia e tij kulturore për shoqërinë dhe familjen e tij.

Ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar për ndarjen nga jeta të gazetarit Namir Lapardhaja. Basha e përshkruan Lapardhanë si gazetar një gazetar i cili nuk bëri kurrë kompromis për të vërtetën dhe që mishëronte figurën e intelektualit të vërtetë.
“Fjala duket e varfër për të shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të Namir Lapardhasë, jo vetëm si humbje e një bashkëpunëtori, por si ikje e një miku të rrallë, e një mendje të ndritur dhe e një njeriu me shpirt të madh. Namiri ishte mbartës i vlerave që mbeten të përjetshme. Ai mishëronte në mënyrën më të plotë figurën e intelektualit të vërtetë, eruditit që e kishte letërsinë dhe fjalën pasion të jetës. Në gazetari dhe publicistikë, në media dhe në aktivitetin e tij politik për dekada me PD, ai nuk kërkoi kurrë kompromis me të vërtetën.
I djathtë dhe demokrat në shpirt, jo thjesht në bindje politike, por në mënyrën si mendonte dhe jetonte: i lirë në mendje, i drejtë në qëndrim dhe i palëkundur në vlera. Rrënjët e tij, të lidhura me një familje të persekutuar nga regjimi komunist, nuk e bënë të ashpër, por më të vetëdijshëm për lirinë dhe më të përgjegjshëm për të. Do ta kujtojmë gjithmonë si një njeri të qetë në pamje, por të thellë në mendim; të përulur në sjellje, por të papërkulshëm në parime; një besimtar që e mbante fenë në shpirt, me dinjitet dhe pa bujë. Humbja e tij është e rëndë. Boshllëku që lë pas i madh.
Ngushëllimet më të ndjera familjes së tij të dashur: babait Hiqmetit, nënës Afërdita, bashkëshortes Sherina, si dhe vajzave Vesa dhe Hana, që ishin drita e jetës së tij. Zoti ju dhëntë forcë dhe jua lehtësoftë dhimbjen! U prehtë në paqen e përjetshme”, shkruan Basha.
Komente












Uaaaaa fatkeqësi e madhe....ngushëllime familjes për këtë humbje kaq tragjike....
PërgjigjuNgushëllime familjarëve, miqve, shokëve dhe të afërmve. Ishte një djalë shumë i respektueshëm dhe i sjellshëm. U prehtë në paqe !
PërgjigjuDhimbje per ikjen e ketij djali,kontributor i sinqerte dhe kualitativ ne rrugetimin per demokraci reale ne Shqiperi. Ishte pasionant dhe i besueshem ne cfare shkruante. I qofte dheu i lehte
PërgjigjuNgushellime familjareve qofte i Xhenetit.Fatkeqesi e madhe.
PërgjigjuNgushëllime familjes, humbje e rëndë. Rron Berishë krimineli 100 vjeç, ikin djemtë më të mirë në moshë të re.
PërgjigjuNGUSHELLIME FAMILJES DHE MIQVE! I lexoja shpesh artikujt e tij me shume vlere dhe me gjykim te kthjellet
Përgjigju