TIRANE- Ky provim ka për qëllim për të parë se cilat janë njohuritë e nxënësve mbi gjuhën e huaj dhe niveli i tij i vështirësisë do të jetë ai  A2 dhe do të jetë i ndarë në tre seksione.

Testi
Agjencia Kombëtare e Provimeve saktëson se në sesionin e parë maturantet do të testohen mbi leximin. Vetëm kjo pjesë do të jetë e përbërë nga 12 pyetje të cilat do të bazohen në një tekst, i cili mund të jetë një histori e shkurtër apo një e-mail mbi të cilin do të ndërtohen edhe pyetjet përkatëse. Kështu, maturantët duhet të përgjigjen për detaje të tekstit të dhënë, për specifikën e informacionit, apo edhe kuptimin e një fjale apo fraze nga teksti i dhënë. Më pas do të jetë sesioni i dytë, i cili do t’i kushtohet përdorimit të gjuhës, ose e thënë ndryshe gramatikës.

Maturantët duhet t’i përgjigjen edhe këtu 12 pyetjeve të ndryshme. Ndërkohë që sesioni i tretë i testit do të jetë vetëm për shkrimin. Ky sesion është i përbërë vetëm nga një pyetje, ku maturantët duhet të shkruajnë një e-mail ose një histori të shkurtër, e cila duhet të përmbajë 75 deri në 100 fjalë. Kjo është pyetja edhe me vlerësimin më të madh të pikëve, pikërisht me 10 pikë, nga 50 që janë në total.

Provimi
Hartuesit e tezës së provimit do të ndërtojnë pyetje të tilla për të kuptuar nëse maturantet janë në gjendje të kuptojnë fjali dhe shprehje, të cilat përdoren në fusha të ndryshme siç janë informacionet personale, familjare, punësimi, gjeografia e zonës etj. Po kështu një tjetër qëllim i këtij testimi është edhe pjesa e përshkrimit të situatave të ndryshme. Sa i përket pikëve, më shumë rëndësi i është dhënë shkrimit të tekstit nga vetë nxënësi. Po kështu në pjesën e parë të testimit maturantët mund të fitojnë 8 pikë, nëse i përgjigjen saktë se kush është përmbajtja e tekstit që i përket sesionit të leximit, apo informacionit që është përcjellë nëpërmjet tij.

Ndërkohë pyetjet të cilat kanë të bëjnë me pjesët gramatikore kanë një vlerësim nga 3 deri në 5 pikë. Provimi i gjuhës së huaj këtë vit është një risi e Maturës Shtetërore. Maturantët do të testohen në datën 16 maj, por nota e marrë në këtë provim nuk do të ketë ndikim në rezultatin përfundimtar të ture. Ndërkohë nga të dhënat paraprake të Ministrisë së Arsimit, rezulton se 97 % e maturantëve, anglishten e kanë renditur në një prej dy provimeve me zgjedhje.

Shkrimi u publikua sot (10.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)