Pamje dramatike vijnë nga fshati Gjinikas në bashkinë e Maliq, ku prurjet e shumta të lumit Devoll kanë dëmtuar rëndë Urën e Gjinikasit, duke rrezikuar jetën e banorëve që e përdorin çdo ditë. Kjo situatë vazhdon prej muajit nëntor.

Siç shihet ne pamje është gërryer i bazamenti i urës, ndërsa rrëshqitja e dherave nga skarpatet përreth kanë përkeqësuar situatën. Si pasojë, një pjesë e strukturës është shembur, duke e bërë kalimin të pasigurt dhe në disa momente thuajse të pamundur.

Në mungesë të fondeve, Bashkia e Maliqit ka gjetur një zgjidhje provizore, duke vendosur një segment metalik mbi pjesën e dëmtuar të urës. Megjithatë, kjo ndërhyrje është e rrezikshme, pasi ura vijon të përdoret nga këmbësorët në kushte të pasigurta.

Kjo urë lidh banoret e fshatrave të Moglicës me aksin kombëtar Maliq–Gramsh. Deri më tani nuk ka një të dhënë kur do të nisë rikonstruksioni i plotë i saj, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për të shmangur rrezikun e një tragjedie të mundshme.