Përmes një Plani Kombëtar Veprimi, qeveria synon të krijojë për herë të parë një databazë kombëtare elektronike me 323 profesione, duke lehtësuar në këtë mënyrë njohjen e kualifikimeve, për të hequr barrierat administrative dhe rritur transparencën për profesionistët.

Dokumenti, i përgatitur nga Ministria e Arsimit, synon të krijojë për herë të parë një program të unifikuar për identifikimin, monitorimin dhe publikimin e të gjitha profesioneve dhe profesionistëve të rregulluar në vend.

Për secilin profesion do të përcaktohen aktivitetet që mund të ushtrohen, baza ligjore dhe arsyet pse rregullimi i tij konsiderohet i nevojshëm dhe proporcional.

Plani synon të zgjidhë problematikat aktuale të sistemit, si mungesa e një baze të unifikuar të profesioneve, procedurat e ndryshme për njohjen e kualifikimeve dhe mungesa e koordinimit ndërinstitucional. Në të njëjtën kohë, ai parashikon krijimin e një pike të vetme elektronike informacioni për qytetarët, profesionistët dhe institucionet.

Dokumenti i hedhur për konsultim specifikon se ministria e Arsimit do të marrë rolin e Koordinatorit Kombëtar, duke u ngarkuar me monitorimin, përditësimin dhe raportimin e bazës kombëtare të profesioneve të rregulluara, ndërsa institucionet përgjegjëse, dhomat dhe urdhrat profesionalë do të zbatojnë masat sipas fushës së tyre.

Sipas të dhënave të projektvendimit, në Shqipëri janë mbi 100 mijë profesionistë që ushtrojnë profesione të rregulluara, ose rreth 8-9% e të punësuarve. Arsimi dhe shëndetësia mbeten sektorët me numrin më të lartë të profesionistëve, me mbi 36 mijë mësues, rreth 23.800 infermierë dhe mbi 9.100 mjekë.

Objektivi është që deri në fund të vitit 2027 të përfundojë përafrimi i kuadrit ligjor me legjislacionin e BE-së.