PS: Albpetroli, aferë gjigande
Qeveria: Privatizojme puset

TIRANE- Ka vijuar mes debatesh të ashpra procesi i privatizimit të kompanisë shtetërore të hidrokarbureve Albpetrol, në Komisionin e Ekonomisë ditën e djeshme. Ajo që ka ngjallur më shumë diskutime ka qenë akuza e deputetit socialist Arben Ahmetaj, sipas të cilit privatit po i shitet nga qeveria Berisha jashtëzakonisht lirë një pasuri që, sipas tij, llogaritet në 15 miliardë dollarë amerikanë.
Nga të dhënat e deklaruara nga zv.ministri Enno Bozdo, u mësua se aktualisht vendi ka rreth 30 milionë ton rezerva nafte nëntokë, ndërsa ato pritet të rriten edhe me zhvillimin e teknologjisë. Rezervat e naftës përllogariten zakonisht në raport me mundësitë teknike për nxjerrjen e tyre në sipërfaqe me teknologjinë aktuale. Por ekspertët kanë vlerësuar se vendi ka në total 480 milionë ton rezerva.
Sipas Ahmetajt, rezervat shqiptare të naftës vlejnë aktualisht 15 miliardë dollarë me çmimin e tregut. Referuar kësaj vlere, Ekzekutivi po ia lë këtë pasuri kombëtare një privati, me një akt krejtësisht anti-kombëtar, shtoi ai. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë se po shet ndërmarrjen më fitimprurëse në kushte emergjence, gjë që shihet edhe nga nxitimi i mazhorancës për të kaluar me shpejtësi ligjet e paketës së privatizimit të saj në Kuvend.
Në komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi deklaroi, nga ana e tij se "në rast se transparenca do të kishte qenë e mjaftueshme, adeguate, ne do të kishim mundësi të vlerësonim nëse do të ishte e leverdisshme apo jo të privatizohej. Me ato që janë thënë deri tani, me argumentat, me përgjigjet e pyetjeve, ka disa gjëra të mëdha që nuk shkojnë në këtë sektor dhe e bëjnë të pamundur një privatizim të suksesshëm". "Kemi një sektor të zhytur në një mjegullnajë. Ne nuk mund të marrim vendimet kur nuk kemi minimumin e informacionit për të marrë vendimin e duhur", deklaroi Shalsi, duke shtuar se, në të mirë të vendit, duhet të ndalet ky privatizim.
Opozita akuzoi gjithashtu se formula e paprecedentë me të cilën qeveria po shet kompaninë Albptrol sjell dëme kolosale për qytetarët. "Duhet ta kuptojë çdo shqiptar që ato që po shiten tani janë të drejtat për shfrytëzimin e naftës dhe gazit. Po shiten përfundimisht. Nuk do ketë më kush të drejtë që të shfrytëzojë puse nafte në Shqipëri, përveç këtyre privatëve me bekimin e Sali Berishës", tha Erjon Braçe. "Rentë minerare nga Albpetrol shteti merr edhe sot, tatim-fitimi merr edhe sot. Por elementi që ikën nga pasuria publike është dividenti. Albpetrol deri më sot merrte dividentë. Nesër këtë divident do ta marrë privati", u shpreh Braçe. Ne eksportojmë naftë me çmime të lira dhe vit për vit shqiptarët, qytetarët shqiptarë, që janë zotër të kësaj toke, blejnë naftën e importit vit për vit e më shtrenjtë, përfundoi deputeti socialist. Braçe llogariti në 50 deri 100 milionë euro në vit të drejtat e humbura të shqiptarëve mbi naftën e tyre nga privatizimi.
Sipas mazhorancës, ajo që shitet nuk janë rezervat e naftës, që mbeten gjithnjë pronë shtetërore dhe jepen me koncension. Shitja përfshin blerjen e objekteve mbitokësore dhe puseve, ndërkohë që do të taksohet si të gjitha ndërmarrjet e tjera edhe Albpetroli i privatizuar, që do të sjellë tatimfitimi dhe rentë minerare mbi naftën e nxjerrë në vite. Lidhur me çmimin e shitjes së kompanisë, ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar. Por, më 16 dhjetor 2011 agjencia Assoshiejtëd Press ka njoftuar se se asetet e kompanisë janë vlerësuar në 420 milionë dollarë nga Patton Boggs, kompani auditimi, që është përdorur nga qeveria edhe në vlerësimin dhe privatizimin e kompanisë së përpunimit të naftës ARMO.
Megjithatë, qeveria duket se konsideron kapitull të mbyllur shitjen e ndërmarrjes. Jemin Gjana, kryetar i komisionit të Veprimtarive Ekonomike, tha se formula e privatizimit tashmë është një çështje e mbyllur. "Formula e privatizimit është miratuar me kohë. Ne këtu po bëjmë një amendim të ligjit", deklaroi Gjana.
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Lëvizja Vetëvendosje ankohet në Gjykatën Supreme për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare

Kosovë/ Lëvizja Vetëvendosje ankohet në Gjykatën Supreme për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare