Çyrbja sqaron se si do t’ia dalë PS të korrektojë ligjin për KLGJ-në dhe KLP-në, kur i duhen 84 vota të cilat nuk i ka e vetme. Deputeti socialist i qarkut të Durrësit thotë se opozita është në të drejtën e saj të protestojë, ndërsa propozimet e PS për ndryshimin e rregullores së Kuvendit ishin një detyrim i paketës ligjore të reformës në drejtësi.
Z. Çyrbja, tri partitë opozitare kanë depozituar në Kuvend një amendament kushtetues ku kërkojnë që të ribëhen disa nene të Kushtetutës me qëllim zgjedhjen e një prokurori të ri të përgjithshëm të përkohshëm, tashmë me 84 vota. A do ta marrë në konsideratë Partia Socialiste këtë dokument?
Së pari, është një dokument parlamentar që do t’i nënshtrohet procedurës sipas Rregullores së Kuvendit. Amendamenti është njoftuar në seancë plenare, dhe më pas do të jetë Konferenca e Kryetarëve që do ta futë në kalendar dhe do t’ja përcjellë komisionit tonë, pra, Komisionit të Ligjeve për shqyrtim. Sigurisht që në këtë komision do të trajtohet me seriozitetin maksimal. Kjo sa i takon anës procedurale.
Qasja jonë politike dhe shtetërore ndaj kësaj çështjeje është një anë tjetër. Partia Socialiste është e qartë në qëndrimin e saj se të gjitha palët politike në vend e kanë firmosur një herë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 140 ligjvënës të parlamentit, pavarësisht ngjyrave partiake, problemeve personale, frikërave të brendshme, apo qasjeve heroike, votuan pro amendimeve kushtetuese për reformën në drejtësi orët e para të mëngjesit të 22 korrikut 2016.
Prej andej ne kemi bërë prej një viti e gjysmë progres të madh për të zbatuar këtë marrëveshje të madhe politike si një pakt kombëtar për drejtësinë e re. Tani, kjo kërkesë për të ndryshuar Kushtetutën, është një kërkesë për të zhbërë konsensusin e 21-22 korrikut.
Nëse ne do ta mendonim qoftë edhe për një moment që të merrnim në konsideratë për ta pranuar këtë amendament, do të ktheheshim në pikën zero dhe do të eliminonim një punë të gjatë për të ngritur institucionet e reja të drejtësisë. Partia Socialiste nuk mund ta lejojë një kthim të tillë mbrapa për një kapriço të opozitës së rikompozuar. Nuk mund të ketë kompromis mbi konsensusin e 21-22 korrikut!
Por pavarësisht këtij qëndrimi të palëkundur nga ana juaj, juve ju duhen votat e opozitës për të korrigjuar disa nene të ligjit për KLGJ e KLP që Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar. Janë nen që kërkojnë 84 vota që partia juaj nuk i ka. Si do ta zgjidhni?
Së pari, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyrim jo vetëm për pjesën mazhorative të parlamentit, por edhe për të tjerët që i përkasin pakicës. Vendimet e kësaj gjykate duhet të zbatohen nga Kuvendi si një institucion i tërë. Opozita duhet përshëndetur që deri më tani, pavarësisht se kishte paralajmëruar një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin në janar, në të vërtetë është bërë pjesë e të gjitha axhendave parlamentare.
Ajo po merr pjesë në një debat konstruktiv në nën-komisionin ad hoc për zgjedhjen e anëtarëve jo magjistratë të KLGj-së dhe KLP-së. Kjo është një shenjë e mirë maturie politike, dhe unë besoj që sërish kjo do të reflektohet edhe pjesëmarrjen e saj në votimin e neneve të korrigjuara të ligjit për organet qeverisëse të sistemit të drejtësisë. Unë nuk dua të besoj se opozita nuk e ka shqetësim funksionimin e këtyre institucioneve. Nëse opozita do të bëhet barrierë, do të ishte një logjikë boshe politike. Nga njëra anë të vijnë dhe të marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ e KLP, e nga ana tjetër të mos votojnë nenet që bëjnë të mundur që KLGJ e KLP të funksionojë.
Nuk besoj që PD dhe opozita do të bjerë në këtë batak që të ngrejë institucionet e reja të drejtësisë dhe nga ana tjetër t’i lërë ato jo funksionale duke mos ju votuar ligjin. Aq më tepër, që Këshilli i Legjislacionit, i cili po përpunon ligjin e korrektuar pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, aktualisht po drejtohet nga opozita. Është kryetar kolegu i Komisionit të Ligjeve, Enkelejd Alibeaj. Nëse opozita do të marrë një kosto të tillë të re, është në peshoren e saj të ndërgjegjes politike dhe kombëtare për të ndërmarrë të tilla veprime.
Ndërkohë që diskutojmë këto elementë të peshave të votave, opozita ka njoftuar këtë të shtunë një protestë në 27 janar. Si e sheh mazhoranca këtë aksion?
E para, unë nuk e kam kuptuar se pse po proteston opozita. Do ta mirëkuptoja qëllimin e protestës së 18 dhjetorit. Dakord. Kishin një qëllim të caktuar për një vendimmarrje të caktuar të mazhorancës. Por sot? Çfarë synojnë të arrijnë? Unë mendoj që kjo është një shfaqje, përdorim i energjive të njerëzve në funksion të kredos politike për të treguar forcën e dy lidërve politikë.
Mazhoranca jonë është e angazhuar në koalicionin me njerëzit e zakonshëm, dhe nuk shqetësohet nga koalicioni i çizmeve firmato. Opozita është në të drejtën e vetë për të protestuar, dhe ka gjithë respektin tonë për këtë gjë.
Ajo që na shqetëson ne është vetëm qasja e saj në raport me hapjen e negociatave. Motoja “shpif shpif, se diçka do ngelet”, kur përdoret në anglisht mund të shërbejë si pretekst për ato vende anëtarë të BE-së, që për probleme të brendshme të unionit, mund ta përdorin për të dëmtuar rrugëtimin e vendit tonë. Kryeministri Rama dhe qeveria e tij e ka bërë të qartë destinacionin.
Grupi parlamentar socialist po ashtu, sidomos në komisionin e Ligjeve, ka punuar shumë fort që të bëhej gati gjithë kuadri ligjor që vettingu të japë rezultate të shpejta, në mënyrë që nga shkurti në qershor, kur është vendimmarrja e re e Brukselit, të kemi një provë konkrete se shqiptarët po e prekin reformën në drejtësi.
Është koha që opozita, përpos axhendës së saj të brendshme politike, të mund të ndihmojë Shqipërinë tonë të përbashkët në këtë etapë të rëndësishme. Ky nuk është rrugëtimi i Partisë Socialiste, ky është rrugëtimi i shqiptarëve në kapjen e ëndrrës 28 vjeçare. Do të ishte turp për opozitën nëse e pengon këtë.
Së fundmi, PS u vendos në qendër të akuzave nga opozita për propozimin e saj për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit. A nuk mendoni se provokuat opozitën me këtë propozim?
E kundërta do të ishte e vërtetë. Opozita duhej të ndihej e provokuar nëse mazhoranca nuk zbaton Kushtetutën, vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo Kodin e Procedurës Penale që rregullojnë nenet përkatëse në Rregullore. Ju e dini se të gjitha këto që përmenda janë me fuqi juridike shumë me të lartë se rregullorja e Kuvendit.
Kuvendi është i detyruar tu bindet akteve që ka votuar vetë. Rregullorja që bie ndesh me Kushtetutën apo me Kodin e Procedurës Penale nuk mund të jetë ende në fuqi. Ne nuk kemi shtuar asnjë rresht më shumë se ato që na imponon Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale. Të tjerat janë abuzime keqdashëse.
d.c./shqiptarja.com