TIRANË - Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika ka ngritur si shqetësim në Asamblenë Kombëtare e PS-së, zgjedhjen e menjëhershme të kryetarit të PS në Komunën Vllahinë, të rrethit të Vlorës. Gjika i ka kërkuar llogari Ruçit, se pse ka ngelur si ngërç zgjedhja e kryetarit në këtë zonë. Kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi i ka shpjeguar situatën, ndërsa e ka siguruar se ky problem do të ngrihet në mbledhjet e ardhshme të Kryesisë së PS-së. Po i njëjti qëndrim është mbajtur edhe nga deputetja Valentina Leskaj, e cila ka pohuar se brenda një jave do i jepet zgjidhje çështja e zgjedhjes së kandidatit. “Problemi në Vllahinë është se njëra kandidaturë ka ikur me banim në Vlorë. Duke qenë se ka mbetur vetëm një kandidaturë, u kërkua që të propozoheshin edhe kandidatura të tjera, në mënyrë që procesi të ishte i rregullt dhe gara të quhet garë. Maksimumi ky proces mbyllet për një javë”, është shprehur Leskaj gjatë fjalës së saj në Asamblenë Kombëtare, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura. Burime brenda Asamblesë bëjnë me dije se kandidatura e vetme që ka ngelur për kryetar i PS në Vllahinë është një person, të cilin Gjika nuk e do të jetë në atë pozicion. Si i deleguar në atë zonë, Gjika ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme të kryetarit, duke nxjerrë në pah edhe kontraditën që ka me kandidaturën e vetme.
(aq/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(aq/shqiptarja.com)









