TIRANE- Partia Socialiste dorëzon në Kuvend draftin për një ndryshim të ligjit 9861, datë 24.01. 2008 “Për kontrollin dhe mbikqyrjen e kufirit shtetëror”. Në kryeartikullin e botuar sot në gazetën Shekulli, shkruhet se drafti rrëzon paktin detar me Greqinë dhe jep një përcaktim të qartë të kufijve detarë.

Drafti përcakton se “kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është i vendosur dhe rregullohet mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar si dhe të traktateve dypalëshe ose shumëpalëshe të lidhura me shtetet e tjera dhe të ratifikuara nga Kuvendi.

PS kërkon që pr/ligji i cili do të rivendosë kufijtë shtetërorë të Shqipërisë,  të shqyrtohet në komisionet parlamentare, brenda muajit mars.

ÇFARE PERCAKTON PR/LIGJI I PROPOZUAR NGA PS
Në vitin 2008 qeveria shfuqizoi ligjin e vjetër të kufijve për ti hapur rrugë famëkeqit pakt detar me Greqinë.
Ndryshe nga ky ligj, nisma e re përcakton qartë kufijtë detarë jugorë dhe veriorë duke vendosur dhe koordinatat e sakta.
“Ujrat territorialë të Republikës së Shqipërisë, thuhet në draft, shtrihen gjatë gjithë bregut të saj në një gjerësi prej 12 miljesh detare duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit, (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit, (Kalasë së Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe Gjirit të Gramëz dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke, deri përmes Kanalit të Korfuzit. Ndërsa gjatësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det, deri te Kepi i Rodonit, shtrihet deri në vijën kufitare shqiptaro- jugosllave, (Mal i Zi).” – shkruan sot e përditshmja Shekulli.
Nisma e paraqitur nga grupi parlamentar socialist përcakton edhe kufijtë e brendshëm të vendit tonë.
“Ujrat e brendshëm territorialë të Republikës së Shqipërisë janë ujrat e detit Adriatik dhe të detit Jon, që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjirit të Gramës, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës, si dhe ujrat e këtej vijës kufitare të liqeneve e lumejve kufitarë” raporton e përditshmja e cila shton se në këtë mënyrë ligji i ri mbyll derën pretendimeve tgë shteteve fqinje dhe marrëveshjeve që dalin jashtë kësaj kornize ligjore.
( ne foto harta e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, e përcaktuar në bazë të marrëveshjes)
(sg/gazeta shekulli/ shqiptarja.com)