Një marrëveshje të heshtur mbijetese e quan ish-deputeti Ervin Salianji paktin e ri mes PS e PD që miratuan me konsensus ndryshimet në rregulloren e Kuvendit. Në një postim në Facebook, Salianji shkruan se me këtë marrëveshje të heshtur, kryeministri Edi Rama ruan pushtetin, ndërsa Sali Berisha mban peng Partinë Demokratike.
Duke iu referuar edhe bashkimit të votave për rezolutën e integrimit, Salianji shkruan se të bashkosh votat 2 javë rresht në momentin kur qeveria është nën presion për korrupsionin, është tradhti ndaj demokratëve.
“Në vend që opozita të ishte alternativa morale dhe politike përballë pushtetit, po shohim një marrëveshje të heshtur mbijetese: Rama mban pushtetin, Berisha mban partinë. Dhe në fund humbësi i vetëm mbeten qytetarët shqiptarë, të cilëve po u merret e drejta për të zgjedhur mes alternativash të vërteta. Berisha voton për Ramën, Rama garanton pa garë Berishën nesër dhe qytetarëve u hiqet çdo mundësi reale zgjedhjeje.
Kur opozita bashkon votat me qeverinë pikërisht në ditët më të vështira të saj, nuk kemi më përballje politike, por mbijetesë të ndërsjellë. Të bashkosh votat me Ramën dy javë rresht, në momentin kur qeveria është nën presion për korrupsionin, zgjedhjet, standardet demokratike dhe integrimin europian, është mëkat ndaj shoqërisë dhe tradhti ndaj demokratëve që kanë sakrifikuar për të rrëzuar këtë regjim.
Kur narrativa është se Shqipëria jeton në regjim dhe se integrimi europian duhet të bazohet mbi meritë, atëherë pyetja është e thjeshtë: çfarë merite ka Edi Rama që sa herë ndodhet në zgrip, merr oksigjen politik nga Sali Berisha?”, shkruan Salianji.
PS e PD arritën konsensusin për ndryshimet në rregullore, të cilat u miratuan me 100 vota pro në seancën plenare të 21 majit. I vetmi që votoi kundër ishte deputeti i partisë ‘Lëvizja Bashkë’, Redi Muçi.
Komente









