TIRANË- Partia Demokratike nuk mbështet propozimin e mazhorancës për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar ‘Antikorrupsion’. Nënkryetari demokrat, Kreshnik Çollaku në një intervistë për Report Tv thotë se shqetësimi kryesor i PD është se kjo mund të jetë një tentativë e qeverisë dhe një pjesë të opozitës për të goditur reformën në drejtësi, veçanërisht SPAK.
“Propozimi i Ramës vjen me një realitet që ne e kemi provuar, se paralel me këto ndodh edhe një proces tjetër pengimi i SPAK. Provë janë deklarata e Dumanit që pohohet se s’ka asnjë denoncim nga institucionet shtetërore, nuk mbështet me staf shtesë, iu refuzohen kërkesat për mbështetje financiare. Por të mos shkuar të grupet e tjera që e quajnë SPAK tarallak, banditë, organizatë kriminale. Shqetësimi është se këto mekanizëm mund të jenë një alibi e kësaj mazhorance për të dëmtuar SPAK, me mbështetjen e të një pjese të opozitës”, tha Çollaku për Report Tv.
Në një intervistë për ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Çollaku thotë se kërkojnë garanci nga SHBA që një mekanizëm i tillë s’do pengonte punën e SPAK. E nëse e marrin një garanci të tillë, Çollaku thotë se do të rishihnin pozicionin e tyre për këtë komision, për të cilin Enkelejd Alibeaj tha se nuk do të bëhen pjesë.
Çollaku thotë se reforma në drejtësi është ‘vija e kuqe’ si për PD dhe SHBA, ndërsa këtë propozim të kryeministrit Rama do e diskutojnë më në detaje në mbledhjen e grupit.
“Kemi mbledhje grupi në më pak se një orë dhe do e diskutojmë. Duhet të konsultohemi dhe me partnerët ndërkombëtarë për të qartësuar këtë moment. Në rast se shqetësimet i kemi të njëjta, mbrojtja e punës së SPAK, mbrojtja e këtij aktiviteti për ne është vijë e kuqe. Duke se edhe për SHBA është vijë e kuqe. Nëse SHBA është garant se çdo mekanizëm i tillë për hir të integrimit nuk do pengonte SPAK, patjetër do rishihnim pozicionim tonë.
Në këtë rast mund të përdoret integrimi europian. Në rastin e amnistisë u përdor për të goditur suksesin e SPAK, ky është shqetësimi ynë”, tha Çollaku.
PS ka propozuar ngritjen e një Komisionin të Posaçëm Parlamentar, i cili do të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.